
Shtëpia e Bardhë vendos kusht të ri: Putin duhet të takohet me Zelenskyn para takimit me Trump
Presidenti rus Vladimir Putin duhet të takohet me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky para se të sigurojë një takim dypalësh me presidentin amerikan Donald Trump.
Kështu deklaroi një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, duke vendosur një parakusht të ri për një takim të mundshëm midis dy udhëheqësve.
Ky kusht vjen pas njoftimit të Trump-it se synon të zhvillojë një takim personal me Putinin, i ndjekur më pas nga një takim trepalësh me liderët e të dyja vendeve. Duke folur me gazetarët të mërkurën, Trump e cilësoi perspektivën e takimit si “vërtet të mirë,” por shmangu ta konsideronte si një “përparim.”
Qëndrimi i ri i Shtëpisë së Bardhë sugjeron se Trump vazhdon të besojë te diplomacia si mjet për t’i dhënë fund konfliktit, megjithatë kushti i vendosur mund të ndërlikojë interesin e Putinit për bisedime. Presidenti rus deri më tani ka refuzuar të takohet me Zelenskyn, pasi një veprim i tillë do të legjitimonte atë si udhëheqës të Ukrainës. Më herët, Putini anuloi një takim të mundshëm me Zelenskyn në Stamboll në maj.
Frustrimi i Trump me Putinin
Në një tjetër zhvillim, Shtëpia e Bardhë ka sinjalizuar një rritje të frustrimit të Trumpit me homologun rus. Presidenti amerikan ka kërcënuar të vendosë sanksione shtesë ndaj vendeve që blejnë energji ruse, nëse Putin nuk ndërmerr hapa konkretë drejt paqes. Ai është shprehur i zemëruar për rolin e Rusisë në zgjatjen e konfliktit dhe vazhdimin e sulmeve ajrore ndaj objektivave civile në Ukrainë, pavarësisht përpjekjeve diplomatike.
I dërguari i Trumpit në Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, ka zhvilluar të paktën pesë takime me Putinin që nga shkurti, por pa arritur ndonjë përparim të rëndësishëm. Pavarësisht kësaj, zyrtarët amerikanë mbeten optimistë se Rusia përfundimisht do të jetë e hapur për lëshime diplomatike.
Këshilltari i Putinit, Yuri Ushakov, kishte deklaruar se priste një samit Trump-Putin që javën e ardhshme, por me parakushtin e ri të vendosur nga Shtëpia e Bardhë, një gjë e tillë bëhet më pak e mundshme. Kjo situatë tensionon edhe më tej marrëdhëniet diplomatike dhe vë në pikëpyetje ecurinë e bisedimeve të paqes. /Politico-RTSH/


