
Shtëpia e Bardhë: Irani të tregohet inteligjent dhe të arrijë marrëveshje
Irani do të tregohet inteligjent nëse arrin një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, deklaroi të Shtëpia e Bardhë, duke ritheksuar se diplomacia mbetet opsioni i preferuar i presidentit Donald Trump.
E pyetur për mundësinë e veprimeve ushtarake, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt tha se ekzistojnë “shumë arsye dhe argumente” që mund të paraqiten për një goditje ndaj Iranit.
“Presidenti ka qenë gjithmonë shumë i qartë, sa i përket Iranit apo çdo vendi tjetër në botë, se diplomacia është gjithmonë opsioni i tij i parë, dhe Irani do të ishte shumë i mençur të arrinte një marrëveshje me presidentin Trump”, u shpreh Leavitt.
Raundi i dytë i bisedimeve mes SHBA-së dhe Iranit u zhvillua të martën në Gjenevë.
Pas takimit, Teherani uli pritshmëritë për një përparim të shpejtë, megjithatë ministri i Jashtëm Abbas Araghchi deklaroi se rruga drejt një marrëveshjeje tashmë kishte nisur.
Një zyrtar amerikan tha se ishte arritur përparim, por shumë detaje mbeten ende të pazgjidhura.
Sipas tij, pala iraniane pritet të rikthehet brenda dy javësh me propozime të detajuara për të ngushtuar dallimet mes dy vendeve.
Diskutimet e fundit u përqendruan kryesisht në programin bërthamor të Iranit.
Uashingtoni prej vitesh kërkon të pengojë Teheranin nga sigurimi i armëve bërthamore.
Irani, i cili mohon se synon të zhvillojë armë të tilla, ka sinjalizuar gatishmëri për të kufizuar programin e tij civil bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve të ashpra ekonomike nga SHBA-ja.
Megjithatë, Teherani ka përjashtuar negociata për çështje të tjera, si reduktimi i programit të tij raketor.
Bisedimet zhvillohen pas javësh tensioni në rritje mes Uashingtonit dhe Teheranit, pasi forcat iraniane të sigurisë shtypën me dhunë një valë protestash në janar, ku raportohet për mijëra të vrarë.
Në përgjigje, Trump kërcënoi udhëheqjen iraniane me ndërhyrje ushtarake dhe dërgoi mjete ushtarake, përfshirë dy aeroplanmbajtëse, në rajon. /atsh/


