
Shqipëria dhe Kosova hartojnë planin e përbashkët të bashkëpunimit ushtarak 2025-2028
Një takim i rëndësishëm është zhvilluar të premten në ambientet e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH), ku përfaqësues të FARSH-it dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) u mblodhën për të hartuar planin e bashkëpunimit dypalësh për periudhën 2025–2028.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjenerallejtënant Arben Kingji, vlerësoi lart përparimin e FSK-së në procesin e transformimit dhe modernizimit. Ai theksoi performancën profesionale të FSK-së në stërvitjet dy dhe shumëpalëshe, si dhe rolin strategjik të saj në garantimin e sigurisë në Kosovë dhe në rajon.
Kingji siguroi delegacionin e FSK-së, të kryesuar nga kolonel Haki Hoti, për “vullnetin e palëkundur të FA për të përmbushur të gjitha nevojat e FSK-së në fushat e arsimimit, stërvitjes, shkëmbimit të përvojës dhe bashkëpunimit ushtarak”.
Ky takim shënon një tjetër hap konkret në forcimin e marrëdhënieve strategjike ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Qëllimi është ngritja e kapaciteteve të përbashkëta dhe ndërveprueshmëria në nivel rajonal dhe ndërkombëtar, duke kontribuar në stabilitetin dhe sigurinë e të dy vendeve dhe rajonit më gjerë. /rtsh/

