
Shqipëri/Protestuesit hedhin molotovë dhe flakadanë drejt Kryeministrisë, ndërhyn policia
Pasi kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka mbaruar fjalën e tij para Kryeministrisë, protestuesit kanë hedhur gaz lotsjellës, molotovë dhe flakadanë drejt Kryeministrisë.
Protestuesit i kanë lëshuar flakadanët mbi kokat e oficerëve të policisë si dhe drejt derës kryesore dhe dritareve të Kryeministrisë, ndërsa më pas kanë ndërhyrë edhe forcat e policisë.
Sipas burimeve nga policia bëhet e ditur se si pasojë e sulmit me bomba molotov nga protestuesit ndaj punonjësve të Policisë, disa punonjës policie po marrin ndihmën e parë mjekësore.
Pas goditjes me molotovë dhe flakadanë, turma e protestuesve u zhvendos drejt Kuvendit.
Ndërkaq, më herët në fjalimin e ti Sali Berisha deklaroi se opozita është në fazën e saj përfundimtare të përballjes me qeverinë e kryeministrit Edi Rama.
“Mesazhi im është ky, sot ne jemi në kilometrin e fundit, me ndihmën e Zotit asgjë nuk do na ndalë drejt fitores tonë. Sot ne jemi para triumfit të madh, shumëkujt triumfi mund t’i duket ende larg kur sheh udhëkryqin në të cilin ndodhet Shqipëria.
Por miqtë e mi, opozita që kemi bërë së bashku vitet e fundit ka qenë pa dyshim maratonë jo e lehtë. Thuaj një kalvar maratonë e mbushur me dhunën e narkoshtetit, presione dhe izolime oruelliane ndaj nesh, por edhe një qëndresë stoike, sakrifica të dhimbshme nga ne”, u shpreh Berisha, raporton ATSH.


