SHBA- Të shtëna me armë në universitetin Brown, 2 studentë të vrarë dhe 9 të plagosur

SHBA- Të shtëna me armë në universitetin Brown, 2 studentë të vrarë dhe 9 të plagosur

Një sulm me armë zjarri është regjistruar në Universitetin Brown në SHBA, në Providence të shtetit Rhode Island, duke shkaktuar dy viktima dhe nëntë të plagosur, ndërsa autori vijon të jetë në arrati. Ngjarja ndodhi të shtunën rreth orës 16:00 me orën lokale, në një klasë ku po zhvilloheshin provime.

Universiteti, një nga institucionet më prestigjioze në SHBA, u vendos menjëherë në bllokim, ndërsa studentëve iu kërkua të strehohen në vende të sigurta deri në shoqërimin nga policia. Sipas Spitalit të Rhode Island, shumica e të plagosurve ndodhen në gjendje “kritike, por të qëndrueshme”.

Policia ka publikuar pamje ku i dyshuari shihet duke dalë nga ndërtesa, por fytyra e tij nuk identifikohet. Zyrtarët thanë se ai ishte i veshur me të zeza dhe mund të ketë mbajtur maskë. Arma e përdorur nuk është gjetur ende.

Sulmi ndodhi në ndërtesën Barus dhe Holley, pjesë e shkollës së inxhinierisë. Sipas dëshmive, autori hyri në klasë, bërtiti diçka dhe më pas hapi zjarr, duke shkaktuar panik mes studentëve që u përpoqën të fshiheshin ose të largoheshin me shpejtësi.

Ndërkohë, banorëve dhe bizneseve pranë kampusit iu kërkua të qëndrojnë brenda, ndërsa restorantet mbyllën dyert duke strehuar klientët deri në heqjen e urdhrit të emergjencës.

Presidentja e Universitetit Brown e quajti ngjarjen “thellësisht shkatërruese”, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump e përshkroi sulmin si “një gjë të tmerrshme”, duke bërë thirrje për lutje për viktimat dhe të plagosurit.

Sipas Gun Violence Archive, ky sulm e çon numrin e ngjarjeve të tilla në SHBA në 389 vetëm këtë vit. /rtsh/

Share This