
SHBA paralajmëron qytetarët në Venezuelë – Milicitë pro-Maduro kontrollojnë rrugët, qytetarët amerikanë të largohen menjëherë
Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga qytetarët e tyre që të largohen menjëherë nga Venezuela pasi situata mbetet e paqëndrueshme dhe rreziku për amerikanët është i lartë. Departamenti i Shtetit paralajmëron se grupet e armatosura të milicive pro-qeveritare, të njohura si “colectivos”, po vendosin postblloqe dhe kontrollojnë automjete për të gjetur qytetarë amerikanë ose mbështetës të SHBA.
Qytetarët duhet të jenë vigjilentë dhe të tregojnë kujdes të shtuar kur udhëtojnë dhe të planifikojnë largimin e menjëhershëm tani që disa fluturime ndërkombëtare kanë rifilluar. “Qytetarët amerikanë duhet të jenë të kujdesshëm dhe të mos udhëtojnë pa nevojë”, thuhet në njoftim. Gazetarët në Karakas raportojnë se anëtarët e “colectivos” enden nëpër qytet me pushkë dhe motoçikleta dhe krijojnë pika kontrolli rreth kryeqytetit.
Rrugët kryesore që lidhin Karakasin me kufirin perëndimor mbahen nga dhjetëra postblloqe ushtarake dhe policore. Ministria e jashtme e Venezuelës mohon rrezikun dhe e quan paralajmërimin e SHBA-së “të fabrikuar”, por pamjet nga terreni tregojnë të kundërtën.
Zyrtarë të Departamentit të Shtetit vizituan Karakasin për të përgatitur rihapjen e ambasadës amerikane, ndërsa presidentja në detyrë Delcy Rodríguez ka bërë thirrje për përmirësim të marrëdhënieve me Uashingtonin.
Alarmet e sigurisë pasojnë bastisjen e forcave speciale javën e kaluar ku u vranë dhjetëra persona dhe situata mbetet tensionuar. SHBA këshillon qytetarët të monitorojnë linjat ajrore dhe faqet zyrtare për të ndjekur çdo ndryshim në fluturime dhe opsione largimi. Situata e sigurisë mbetet e paparashikueshme dhe çdo qytetar amerikan duhet të veprojë menjëherë për të siguruar largimin e tij. /rtsh/


