SHBA-ja dhe Teherani këmbejnë sulme përsëri, teksa Trump kërcënon se do ta “shkatërrojë” Iranin

SHBA-ja dhe Teherani këmbejnë sulme përsëri, teksa Trump kërcënon se do ta “shkatërrojë” Iranin

Forcat amerikane i kanë goditur “shënjestra të shumta” në Iran për natën e dytë radhazi, si përgjigje ndaj asaj që Uashingtoni e cilëson si “agresion” të Teheranit kundër anijeve tregtare, ndërkohë që armëpushimi i brishtë në Lindjen e Mesme vazhdon të dobësohet.

Ndërkohë, presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërcënuar se do ta “shkatërrojë” Republikën Islamike.

“Avionët e Shteteve të Bashkuara sapo goditën vendet ku ruheshin raketat dhe dronët iranianë, si dhe stacionet bregdetare të radarëve, për shkak të shkeljes së Marrëveshjes së Armëpushimit, PËRSËRI! Ka shumë mundësi që nuk do të marrin mësim kurrë!” shkroi ai në rrjetet sociale.

“Mund të vijë koha kur ne nuk do të jemi më në gjendje të tregojmë vetëpërmbajtje dhe do të detyrohemi ta përfundojmë ushtarakisht punën që e nisëm me shumë sukses. Nëse ndodh kjo, nuk do të ketë më Republikë Islamike e Iranit!” shkroi Trump.

Disa orë më vonë, Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) njoftuan se kishin lëshuar raketa dhe dronë ndaj vendeve të lidhura me SHBA-në rreth orës 02:00–03:00 të mëngjesit të 28 qershorit, si kundërpërgjigje.

Kuvajti dhe Bahrejni raportuan se kishin vërejtur predha në hyrje të hapësirës së tyre ajrore. Nuk pati hollësi rreth këtyre sulmeve.

IRGC-ja paralajmëroi gjithashtu se çdo “shkelje e armëpushimit” do t’i “ndërpresë plotësisht të gjitha proceset diplomatike që po zhvillohen”.

Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) tha më 27 qershor se forcat e saj kishin ndërmarrë sulmet “si përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj agresionit të vazhdueshëm iranian kundër transportit tregtar detar”.

Irani nuk reagoi menjëherë ndaj deklaratës. SHBA-ja nuk tregoi në këtë njoftim se çfarë shënjestrash goditi, por zyrtarë të Mbrojtjes thanë se operacioni kishte përfunduar.

“Pas sulmeve të djeshme amerikane, të kryera si përgjigje ndaj sulmit iranian ndaj anijes ‘M/V Ever Lovely’, Iranit iu dha mundësia ta nderonte marrëveshjen e armëpushimit, por zgjodhi të mos e bënte këtë, kur forcat e tij lëshuan një dron vetëvrasës që goditi cisternën ‘M/T Kiku’ këtë mëngjes në orën 04:30, sipas kohës lindore të SHBA-së”, thuhet në një postim të CENTCOM në rrjetet sociale, transmeton GE.

Sipas CENTCOM, cisterna me flamur panamez po kalonte pranë Ngushticës së Hormuzit, rrugën jetike detare, duke transportuar më shumë se 2 milionë fuçi naftë të papërpunuar.

Share This