
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Rutte paralajmëron: Ne jemi objektivi i radhës i Rusisë
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, në fjalën e mbajtur në Konferencën e Sigurisë së Mynihut (MSC) në Berlin, deklaroi se NATO është objektivi i radhës së Rusisë, duke paralajmëruar rrezikun që iu kanoset nga Moska.
Ai theksoi se, ndërsa vendimi për të përshpejtuar shpenzimet e mbrojtjes në samitin e NATO-s në Hagë në fillim të këtij viti ishte i mirëpritur, “kjo nuk është koha për vetë-përgëzime”.
“Jam këtu sot për t’ju treguar se ku qëndron NATO dhe çfarë duhet të bëjmë për të ndaluar një luftë para se të fillojë. Dhe për ta bërë këtë, duhet të jemi shumë të qartë për kërcënimin: ne jemi objektivi i radhës i Rusisë dhe jemi tashmë në rrezik. Kam frikë se shumë njerëz janë të vetëkënaqur në heshtje. Shumë nuk e ndiejnë urgjencën. Dhe shumë të tjerë besojnë se koha është në anën tonë. Nuk është. Koha për veprim është tani. Shpenzimet dhe prodhimi i mbrojtjes së aleatëve duhet të rriten me shpejtësi. Forcat tona të armatosura duhet të kenë atë që u nevojitet për të na mbajtur të sigurt”, deklaroi Rutte.
Ky i fundit shtoi se Rusia është bërë edhe më e paturpshme, e pamatur dhe e pamëshirshme ndaj NATO-s dhe Ukrainës.
“Gjatë Luftës së Ftohtë, Presidenti Reagan paralajmëroi për impulset agresive të një perandorie të ligë. Sot, Presidenti Putin është përsëri në biznesin e ndërtimit të perandorive”, shtoi ai.
Rutte deklaron se presidenti rus beson se liria e NATO-s kërcënon kontrollin e Vladimir Putin mbi pushtetin dhe se aleanca kërkon shkatërrimin e Rusisë.
Ai thotë se Kina është “litari i shpëtimit” i Rusisë që i lejon asaj të ndjekë linjën e saj agresive dhe mbështetet nga Koreja e Veriut dhe Irani.
“Pra, le ta vëmë Putinin në provë. Le të shohim nëse ai vërtet dëshiron paqe apo nëse preferon që masakra të vazhdojë”, tha ai. /rtsh/


