Samiti i Bërdo-Brijunit, Begaj pret në Durrës liderët e Ballkanit Perëndimor: Anëtarësimi në BE, mision kombëtar

Samiti i Bërdo-Brijunit, Begaj pret në Durrës liderët e Ballkanit Perëndimor: Anëtarësimi në BE, mision kombëtar

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, mirërpti sot (6 tetor) në Durrës homologët e tij nga rajoni në kuadër të Samitit të Bërdo-Brijunit, që zhvillohet nën moton “Interesa të përbashkëta, angazhim i përbashkët për një të ardhme të përbashkët: Së bashku drejt BE-së”.

Begaj, i shoqëruar nga Presidentja e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar dhe Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, dy prej nismëtarëve të samitit, kanë pritur liderët e Ballkanit Perëndimor.

Presidenti Bajram Begaj në fjalën hapëse të samitit, vlerësoi progresin e arritur nga vendi ynë në bashkëpunimin rajonal dhe procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Sipas Begajt, zhvillimi i qëndrueshëm dhe fqinjësia e mirë, janë thelbësore për të çuar më tej paqen, prosperitetin, stabilitetin dhe integrimin e rajonit.

Ai theksoi se aspirata e Shqipërisë për tu anëtarësuar në BE nuk është vetëm objektiv politik, por një mision kombëtar.

“Të gjithë së bashku po përballemi e po përpiqemi të zgjidhim e trajtojmë një sërë çështjesh sociale të kohës sonë, rrjedhja e trurit dhe nevoja për të forcuar bashkëpunimin në fusha si; kërkimi shkencor e novacioni e për të pasur mundësinë për të mbajtur të rinjtë në vendet tona, ne përpiqemi e kërkojmë që përfitimet e BE ti sjellim më pranë BP përmes planit të rritjes.

Shqipëria vlerëson lart rolin e procesit të këtij samiti si mekanizëm i rëndësishëm. Në këtë drejtim Shqipëria inkurajon dialogun rajonal mbështetur në bashkëpunim dhe integrimin në BE.

Ne njohim rolin e nxitjes së bashkëpunimit rajonal si instrumenti kyç për aksionet tona politiko-ekonomike që kontribuojnë për përshpejtimin e integrimit në BE. Duhet të vazhdojmë të ndajmë mendimet tona konstruktive që të pasurojmë platformën e BRDO-BRIJUNIT”, deklaroi Begaj.

Qëllimi i këtij samiti 2-ditor është mbështetja e integrimit evropian të rajonit dhe bashkëpunimi i vendeve për të ardhmes evropiane.

Liderët që marrin pjesë janë: Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, Presidenti i Malit të Zi Jakov Milatoviç, anëtarët e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, si dhe Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova.

Në qendër të diskutimeve do të jetë Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, një paketë financiare prej 6 miliardë eurosh për periudhën 2024–2027, e cila synon nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe përshpejtimin e integrimit të vendeve të rajonit në tregun e përbashkët evropian.

Samiti vjen në një moment kyç për Ballkanin Perëndimor, ku përveç temës së integrimit evropian, do të trajtohen edhe çështje që lidhen me forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe ruajtjen e stabilitetit politik në rajon.

Kjo nismë rajonale, e nisur në vitin 2013 nga Sllovenia dhe Kroacia, synon të forcojë dialogun dhe bashkëpunimin mes vendeve të rajonit, si dhe të lehtësojë përpjekjet e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Iniciativa e Bërdo-Brijunit, e cila synon nxitjen e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe integrimin evropian, mbahet çdo vit që nga themelimi i saj në vitin 2013. Vitin e kaluar, Samiti u zhvillua në Mal të Zi. Atje, udhëheqësit u angazhuan për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, reforma të mëtejshme, dhe zbatimin e Agjendës së Gjelbër për rajonin. Takimi i këtij viti në Durrës pritet të vijojë me të njëjtin zotim, duke i dhënë rëndësi të veçantë dimensionit ekonomik. /rtsh/

Share This