Allegri pas barazimit me Juventusin: Po rritemi

Allegri pas barazimit me Juventusin: Po rritemi

Trajneri i AC Milan, Massimiliano Allegri, u shfaq i kënaqur me disa aspekte të lojës, por edhe kritikojë skuadrën e tij pas barazimit pa gola ndaj Juventusit në stadiumin “Allianz”.

“Pozitivja është që nuk pësuam gol. Skuadra e lexoi mirë lojën, sidomos në momentet kur nuk kishte hapësira, sepse Juventusi mbrohej shumë mirë,” deklaroi Allegri pas ndeshjes, raporton RTKLive.

Ai vlerësoi përmirësimin e lojës në pjesën e dytë, por theksoi se Milani duhet të tregojë më shumë vendosmëri në momente të caktuara të lojës.

“Në pjesën e dytë u përmirësuam shumë. Është mirë që morëm një pikë, por duhet të dalim të zemëruar, sepse kur e kemi kundërshtarin në dorë, duhet ta ‘vrasim’ sportivisht ndeshjen”, theksoi Allegri.

Trajneri kuqezi pranoi se skuadra është ende në proces rritjeje.

“Nuk jemi në vendin që duam, por po rritemi. Duhet të mësojmë të menaxhojmë më mirë momentet kyçe. Falënderoj djemtë për reagimin dhe përpjekjen që dhanë”, pohoi ai.

I rikthyer për herë të parë si trajner i Milanit në “shtëpinë e vjetër”, Allegri foli me emocion për pritjen që mori nga tifozët e Juventusit.

“Kur mbërrita në stadium, u emocionova. Kam kaluar tetë vite të paharrueshme këtu, me shumë fitore e zhgënjime. Tifozët më pritën ngrohtë dhe i falënderoj për këtë”, tha tekniku italian.

Allegri foli edhe për objektivat e Milanit në vazhdim.

“Juventusi është një skuadër e madhe, një pikë prapa nesh dhe ende pa humbje. Kampionati është i fortë, ne duhet të jemi të qëndrueshëm. Për ne, është thelbësore të arrijmë në mars në formën më të mirë, për të qenë në top katër”, përfundoi Allegri.

Share This