
Sami Lushtaku reagon pas dorëheqjes së Memli Krasniqit: Ky është moment për ringjallje dhe unitet të ri në PDK
Kryetari i degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Skënderaj, Sami Lushtaku, ka reaguar pas dorëheqjes së kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi.
Në emër të vet dhe të strukturave të partisë në Skënderaj, Lushtaku ka shprehur falënderim dhe respekt të lartë për punën dhe lidershipin e Krasniqit gjatë periudhës që ai ka udhëhequr PDK-në.
“Në emër tim dhe të strukturave të Partisë Demokratike të Kosovës në Skënderaj, shpreh falënderimin dhe respektin më të lartë për punën, angazhimin dhe lidershipin e treguar nga kryetari i deritanishëm i PDK-së, Memli Krasniqi,” ka shkruar Lushtaku.
Ai ka theksuar se PDK mbetet një forcë politike shtetformuese dhe me vizion të qartë për zhvillimin e vendit, ndërsa dorëheqjen e Krasniqit e ka cilësuar si një moment që do të sjellë ringjallje e unitet të ri brenda partisë.
“PDK është parti shtetformuese dhe shtetndërtuese, e cila ka vizion të qartë për zhvillimin e vendit. Prandaj, ky vendim i dorëheqjes le të shënojë një momentum të ri, i cili e fuqizon, e rrit dhe e unifikon edhe më tepër PDK-në,” ka theksuar Lushtaku.
Në fund të reagimit të tij, ai i ka uruar sukses Krasniqit në vazhdimësi, duke e quajtur atë “kryetar”.
“Suksese në vazhdimësi, kryetar!”, ka përfunduar Sami Lushtaku.


