
”Merreni Rodrin dhe më jepni Bernardon”, Mourinho e fiton ‘bastin’ ndaj të gjithëve
Trajneri portugez ka besuar prej kohësh se bashkëkombësi i tij mund të shkëlqejë në mesfushë, pavarësisht rrezikut që mund të sillte një vendim i tillë. Pas refuzimit të Rodrit në gusht, Mourinho e pa zgjidhjen: kishte ardhur momenti për ta zbatuar një ide që e kishte besuar prej vitesh.
Shumëkush mendonte se Bernardo Silva, në moshën 32-vjeçare, nuk mund të kishte sukses si mesfushor në këtë fazë të karrierës. Madje, shumë kohë më parë, kishte pasur edhe nga ata që dyshonin se ai do të arrinte ndonjë gjë të madhe si futbollist.
Gazeta spanjolle “AS” ka rikthyer në vëmendje deklaratat e mëhershme të agjentit të njohur Jorge Mendes.
“Më thoshin vazhdimisht: ‘Jorge, harroje, nuk ke asnjë shans. Bernardo Silva nuk do të bëhet kurrë një lojtar i rëndësishëm. Në rastin më të mirë, do të luajë në kategorinë e parë ose të dytë, ndoshta në një ekip si Paços de Ferreira’”, kishte treguar Mendes.
Megjithatë, siç thekson gazeta, Mourinho nuk ishte asnjëherë në mesin e atyre që dyshonin te Bernardo Silva. Ai gjithmonë i ka vlerësuar cilësitë e futbollistit, duke e konsideruar një lojtar inteligjent, të aftë për të luajtur në çdo pozitë dhe në çfarëdo rrethane.
Gjithçka që po ndodh tani i ka rrënjët në verën e kaluar, kur Bernardo mori përsipër rolin e organizatorit në mesfushë. Mourinho kishte kuptuar shumë më herët se portugezi ishte i aftë ta përmbushte këtë detyrë.
Refuzimi i Rodrit ishte një goditje e papritur, më shumë për opinionin publik sesa për vetë klubin. Por trajneri portugez nuk qëndroi duarkryq. Ai e priti situatën me qetësi dhe pa krijuar polemika.
Mourinho e shihte Bernardon si partnerin ideal të Tchouamenit në mesfushë, raporton gazeta, ndonëse përjashtuar disa raste të rralla, futbollisti nuk kishte luajtur pothuajse asnjëherë në atë pozitë gjatë karrierës së tij.
Sipas gazetës, ky vendim dukej sikur binte ndesh me teoritë e futbollit modern, të cilat kërkojnë një profil fizik më të fuqishëm për atë rol. Në pamje të parë, mund të dukej si një hap drejt së panjohurës. Por në praktikë, zgjedhja rezultoi plotësisht e qëlluar.
Aftësia e Bernardos për të ndërtuar aksione, përkushtimi në fazën defensive dhe dinamika në lojë mjaftuan për të dëshmuar se Mourinho kishte të drejtë. Trajneri i kishte besuar gjithashtu inteligjencës së jashtëzakonshme të portugezit, duke qenë i bindur se ai do ta kuptonte shpejt rolin e ri në fushë. Deri më tani, paraqitjet e tij e kanë vërtetuar këtë vlerësim.
Para pushimit të parë për ndeshjet e kombëtareve, menjëherë pas humbjes së dhimbshme në Wanda Metropolitano, Real Madrid dukej se kishte hyrë në një periudhë rënieje dhe e ardhmja nuk premtonte shumë.
Por realiteti doli të ishte krejtësisht i kundërt. Bernardo u aktivizua në El Clasico, Real Madridi u shfaq si një skuadër krejtësisht tjetër dhe që nga ajo kohë portugezi është shndërruar në titullar të rregullt.
Që nga fitorja në Barcelonë, ai ka startuar në çdo ndeshje dhe ka luajtur më shumë se 86 për qind të minutave të mundshme. Bernardo është shndërruar në shtyllën kryesore të skuadrës dhe në një lojtar të pazëvendësueshëm.
Tashmë askush nuk e vë në dyshim vendimin e Mourinhos. Bernardo Silva ka dëshmuar se inteligjenca dhe teknika mund ta mposhtin edhe forcën fizike, ndërsa trajneri portugez ka treguar se kishte të drejtë kur vendosi të sfidonte teoritë e futbollit modern dhe t’i besonte një lojtari për të cilin shumëkush kishte parashikuar se nuk do të arrinte kurrë sukses.

