Rusia, vendi i parë që njeh zyrtarisht regjimin e Talebanëve në Afganistan

Rusia, vendi i parë që njeh zyrtarisht regjimin e Talebanëve në Afganistan

Rusia është i pari vend që ka njohur zyrtarisht qeverinë e talibanëve të Afganistanit, një vendim ky të cilin ministri i Jashtëm afgan Amir Khan Muttaqi e cilësoi të guximshëm.

Muttaqi u takua të enjten me ambasadorin rus në Kabul, Dmitry Zhirnov, ku ky i fundit prezantoi zyrtarisht vendimin e qeverisë së tij për të njohur Emiratin Islamik të Afganistanit.

“Ka nisur një epokë të re marrëdhëniesh pozitive, respekti të përbashkët dhe angazhimi konstruktiv”, u shpreh ministri i Jashtëm afgan, duke theksuar se lëvizja ruse mund të shërbente si shembull për vendet e tjera të botës.

Ministria e Jashtme ruse ndërkohë u shpreh në një postim në platformën Telegram se akti i njohjes zyrtare të Emiratit Islamik të Afganistanit do të nxisë zhvillimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në disa fusha, si në tregti, ekonomi, energji, transport, bujqësi dhe infrastrukturë, ndërsa shprehu besimin se do të vijonte të ndihmonte Kabulin në përforcimin e sigurisë rajonale dhe luftës kundër terrorizmit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

Hapat për normalizimin e marrëdhënieve me talibanët, Moska nisi t’i marrë në muajin prill kur i hoqi talibanët nga lista e organizatave terroriste.

Rusia ndërkohë ishte i pari vend që hapi një zyrë të përfaqësimit të biznesit në Kabul pas marrjes së pushtetit nga talibanët, si dhe ka njoftuar planet për të përdorur Afganistanin si qendër tranziti për gazin që dërgon në Azinë Juglindore.

Qëkur u rikthyen në pushtet në gusht të 2021-it, talibanët kanë kërkuar njohje dhe investime ndërkombëtare, pavarësisht raportimeve se nën sundimin e tyre në Afganistan ishin shtuar rastet e shkeljes së të drejtave të njeriut. /rtsh/

Share This