Rusia kufizon aplikacionet WhatsApp dhe Telegram, i akuzon për mosbashkëpunim me ligjin

Rusia kufizon aplikacionet WhatsApp dhe Telegram, i akuzon për mosbashkëpunim me ligjin

Rusia ka njoftuar kufizim të aplikacioneve WhatsApp dhe Telegram, duke shënuar lëvizjet e fundit nga Moska për të forcuar kontrollin e saj mbi internetin.

Kufizimi i aplikacioneve pritet të ndikojë në thirrjet zanore te përdoruesit e WhatsApp, të cilët vlerësohet se janë rreth 96 milionë në Rusi, dhe te më shumë se 89 milionë përdoruesit e Telegram, sipas shërbimit rus të monitorimit të medias.

Në një deklaratë, Rregullatori rus i Medias dhe Internetit e justifikoi masën si të nevojshme për luftimin e krimit.

“Sipas agjencive të zbatimit të ligjit dhe thirrjeve të shumta nga qytetarët, Telegram dhe WhatsApp janë bërë shërbimet kryesore zanore të përdorura për të mashtruar dhe zhvatur para, si dhe për të përfshirë qytetarët rusë në aktivitete sabotimi dhe terroriste. Kërkesat e përsëritura për të ndërmarrë kundërmasa janë injoruar nga pronarët e aplikacioneve”, tha rregullatori.

Moska dëshiron që shërbimet e mesazheve online të ofrojnë qasje në të dhënat e përdoruesve me kërkesë të zbatimit të ligjit.

“Qasja në përdorimin e thirrjeve zanore të këtyre aplikacioneve do të rikthehet pasi ata të fillojnë të zbatojnë legjislacionin rus”, tha rregullatori.

Ndërsa autoritetet thanë se vetëm thirrjet zanore në platforma ishin të kufizuara, përdoruesit në Rusi raportuan gjithashtu se edhe thirrjet video ishin prekur.

Që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, Moska ka zgjeruar kontrollin mbi pjesën ruse të internetit. Shërbimet e sigurisë kanë pohuar shpesh se Ukraina po përdorte Telegramin për të rekrutuar njerëz ose për të kryer akte sabotimi në Rusi. /rtsh/

Share This