
Rreth 70 persona kërkuan ndihmë në Klinikën Infektive, dyshohet për helmim nga ushqimi
Klinika Infektive e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka bërë të ditur se gjatë ditëve të fundit janë paraqitur dhjetëra pacientë me simptoma të dyshuara të helmimit nga ushqimi.
Sipas njoftimit zyrtar, pacientët kanë kërkuar trajtim mjekësor për shkak të simptomave si temperaturë, ethe, dhimbje barku, të vjella dhe diarre. Nga vlerësimet fillestare mjekësore është dyshuar se shqetësimet shëndetësore janë shfaqur disa orë pas konsumimit të ushqimit.
Nga data 10 deri më 13 korrik 2026, në Klinikën Infektive janë paraqitur rreth 70 pacientë, ndërsa 22 prej tyre janë shtrirë në spital për trajtim të mëtejshëm.
Rastet e hospitalizuara janë raportuar në Inspektoratin Shëndetësor, Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), si dhe janë regjistruar në Sistemin e Mbikëqyrjes së Sëmundjeve Ngjitëse, në përputhje me procedurat përkatëse.
Klinika Infektive ka njoftuar se pacientët e hospitalizuar janë nën kujdes të vazhdueshëm të stafit mjekësor dhe po marrin terapinë e nevojshme.
Gjendja e tyre shëndetësore, sipas QKUK-së, vazhdon të monitorohet dhe kërkon trajtim e vëzhgim të rregullt mjekësor.

