Richarlison ndëshkon Liverpoolin, Tottenham merr një pikë në ‘Anfield’

Richarlison ndëshkon Liverpoolin, Tottenham merr një pikë në ‘Anfield’

Liverpool ka humbur mundësinë për t’u futur në katërshen e parë të Premier League, pasi barazoi 1-1 në shtëpi ndaj Tottenham Hotspur.

Vendasit e nisën shumë mirë takimin dhe kaluan në epërsi në minutën e 18-të falë një supergoli nga goditja e lirë të mesfushorit Dominik Szoboszlai.

Hungarezi realizoi nga rreth 25 metra me një goditje të fuqishme dhe të harkuar, duke e dërguar topin në këndin e sipërm të portës së mbrojtur nga Guglielmo Vicario.

Pas golit, Liverpooli pati disa mundësi për të dyfishuar epërsinë. Ryan Gravenberch rrezikoi nga brenda zonës, ndërsa goditja e Cody Gakpo u devijua në shtyllë nga Vicario. Në anën tjetër, Tottenham kërcënoi në fundin e pjesës së parë me Richarlison, por portieri Alisson Becker reagoi mirë.

Në pjesën e dytë, Liverpool vazhdoi të kërkonte golin e sigurisë. Trajneri Arne Slot aktivizoi nga banka Mohamed Salah dhe Hugo Ekitike, të cilët krijuan disa raste të rrezikshme, por pa arritur të shënojnë.

Kur dukej se vendasit do ta mbyllnin ndeshjen me fitore, Tottenham goditi në minutën e 90-të. Pas një asistimi nga Randal Kolo Muani, Richarlison kontrolloi topin në zonë dhe shënoi për 1-1, duke heshtur “Anfield”-in.

Me këtë rezultat, Liverpool mbetet në vendin e pestë me dy pikë më pak se Aston Villa.

Ndërkohë, Tottenham fiton një pikë të rëndësishme në luftën për mbijetesë, edhe pse vazhdon të mbetet pa fitore në kampionat gjatë vitit 2026.

Share This