
Real Madrid-Rodri, këto janë zhvillimet e fundit
Real Madridi ka nisur negociatat direkte me Manchester Cityn për transferimin e Rodrit, duke e bërë mesfushorin spanjoll objektivin kryesor për përforcimin e repartit të mesfushës.
Sipas “Sky Germany”, bisedimet mes dy klubeve tashmë kanë filluar, ndërsa Manchester City ka vendosur një çmim prej 75 milionë eurosh për kartonin e 30-vjeçarit.
Megjithatë, mes dy klubeve ekziston ende një diferencë e konsiderueshme. Real Madridi është i gatshëm të ofrojë pak më shumë se 50 milionë euro, çka do të thotë se palët duhet të gjejnë një kompromis për të finalizuar marrëveshjen.
Raportohet se Rodri është i interesuar për një rikthim në Spanjë dhe tashmë ka arritur marrëveshje personale me klubin nga “Santiago Bernabéu”. Mesfushori spanjoll dëshiron të veshë fanellën e Real Madridit, ndërsa negociatat mes klubeve pritet të vazhdojnë në ditët në vijim.
Një faktor që mund të ndikojë në bisedime është situata kontraktuale e lojtarit. Rodri ka hyrë në vitin e fundit të marrëveshjes me Manchester Cityn dhe raportohet se ka refuzuar disa oferta për rinovim nga kampionët e Anglisë.
Drejtuesit e Real Madridit e konsiderojnë reprezentuesin spanjoll si një prioritet për sezonin e ri, pasi besojnë se përvoja, lidershipi dhe aftësia e tij për të kontrolluar ritmin e lojës do të ishin një përforcim i madh për skuadrën e Jose Mourinhos.
Tashmë mbetet të shihet nëse dy klubet do të arrijnë marrëveshje për një nga transferimet më të bujshme të kësaj vere.

