Reagon Murati: Vendimi i Kushtetueses nuk bazohet në Kushtetutë, por në interesa partiake

Reagon Murati: Vendimi i Kushtetueses nuk bazohet në Kushtetutë, por në interesa partiake

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ashpër ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese.

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, mendon se ky vendim favorizon “gardën e vjetër” politike në vend.

Në një postim në Facebook, Murati tha se Gjykata Kushtetuese po vendos në varësi të asaj se cila parti është në pyetje dhe jo mbi bazën e Kushtetutës.

Ai rikujtoi vendimet e vitit 2014, kur – sipas tij – Gjykata kishte mbështetur Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) për të mbetur në pushtet, duke përcaktuar që qeveria dhe kryetari i Kuvendit t’i takonin fituesit të zgjedhjeve.

Murati theksoi se në vitin 2020, kjo pikë u ndryshua kur presidenti u lejua të formonte qeveri pa fituesin e zgjedhjeve – në atë kohë Vetëvendosjen – ndërsa në vitin 2025, Gjykata ndryshoi edhe vendimin për kryetarin e Kuvendit, duke e kufizuar procesin në vetëm tre tentativa dhe duke e bërë të vlefshëm vetëm votimin e hapur.

“Kjo nuk është drejtësi. Ky vendim synim ka t’ua sigurojë gardës së vjetër atë që populli nuk ua dha me votë. E provuan më 2020 dhe populli ua dha përgjigjen më 14 shkurt 2021. Po dëshirojnë ta provojnë përsëri më 2025, dhe përsëri populli do t’ua japë përgjigjen”, shkroi Murati.

Share This