Reagime pro dhe kundër për Bordin e Paqes të presidentit Trump

Reagime pro dhe kundër për Bordin e Paqes të presidentit Trump

Vetëm disa orë pasi u tërhoq për çështjen e Groenlandës, duke këmbëngulur se nuk kishte më ndërmend të përdorte forcën për të marrë ishullin, presidenti amerikan, Donald Trump zbuloi Bordin e tij të Paqes, shkruan Laurent Geslin për euroactiv.com.

Por, vetëm aleatët e tij dhe ata që i detyrohen e kanë dëgjuar thirrjen.

Më shumë se 20 vende deri më tani kanë rënë dakord zyrtarisht të bashkohen me organizatën e re ndërqeveritare, statuti i së cilës u nënshkrua të enjten në Zvicër dhe e cila është konsideruar si një mekanizëm për zgjidhjen e konflikteve globale.

Asnjë anëtar i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara nuk e ka ndërmarrë deri më tani këtë hap.

Dhe brenda Bashkimit Evropian, vetëm Hungaria dhe Bullgaria i janë përgjigjur pozitivisht propozimit të Trump.

Iniciativa u prezantua për herë të parë shtatorin e kaluar si pjesë e fazës së dytë të planit 20-pikësh të armëpushimit të Uashingtonit për Gazën, por që atëherë është riformuluar si një platformë më e gjerë për zgjidhjen ndërkombëtare të konflikteve.

Këto ambicie janë të përcaktuara drejtpërdrejt në statutin tetëfaqësh të bordit.

Gjuha pasqyron armiqësinë e gjatë të Trump ndaj OKB-së.

Më herët këtë muaj, ai njoftoi se Uashingtoni do të tërhiqej nga 66 organizata dhe traktate globale, afërsisht gjysma e të cilave të lidhura me OKB-në.

Si do të funksionojë Bordi i Paqes?

Karta specifikon se Trump do të shërbejë si “kryetari inaugurues i Bordit të Paqes” i organizatës dhe vetëm ai do të ketë autoritetin për të emëruar pasardhësin e tij dhe fuqinë për të vënë veton ndaj çdo vendimi të miratuar nga shumica e anëtarëve.

Këshilli ekzekutiv i organizatës do të përbëhet nga shtatë anëtarë, përfshirë sekretarin e Shtetit të SHBA-së Marco Rubio, të dërguarin special Steve Witkoff, dhëndrin e Trump, Jared Kushner, dhe ish-kryeministrin britanik Tony Blair.

Mandatet e shteteve anëtare do të kufizohen në një maksimum prej tre vjetësh nga data e hyrjes në fuqi të statutit.

Vendet që zotohen të kontribuojnë më shumë se një miliard euro gjatë 12 muajve të ardhshëm do të fitojnë anëtarësim të përhershëm. Deri më tani, asnjë nga vendet pjesëmarrëse nuk ka konfirmuar se ka dhënë ndonjë kontribut të tillë.

Rregullimet e sakta për menaxhimin financiar të organizatës ende nuk janë bërë publike.

Kush është pjesë deri tani?

Nëntëmbëdhjetë shtete ishin të pranishme në Davos kur u nënshkrua karta e Bordit të Paqes, megjithëse sipas zyrtarëve amerikanë, ftesat për t’u bashkuar me organizatën janë dërguar në rreth 60 vende – shumë larg nga 193 anëtarët e OKB-së.

Brenda Bashkimit Evropian, kryeministri hungarez Viktor Orbán pranoi “ftesën e nderuar” të Uashingtonit që më 18 janar.

Bullgaria gjithashtu i është përgjigjur pozitivisht propozimit të Trump.

Dy vende të tjera evropiane tradicionalisht të afërta me SHBA-në kanë konfirmuar gjithashtu pjesëmarrjen e tyre: Shqipëria, e udhëhequr nga Edi Rama dhe Kosova, e cila strehon një bazë të madhe ushtarake amerikane.

Në Lindjen e Mesme dhe në Gjirin Persik, kryeministri Benjamin Netanyahu ka konfirmuar pjesëmarrjen e Izraelit, ashtu si edhe Arabia Saudite, Bahreini, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti, Jordania dhe Kuvajti.

Armenia dhe Azerbajxhani, kundërshtarë të hershëm, e kanë pranuar gjithashtu propozimin e SHBA-së, së bashku me Argjentinën, një aleate e ngushtë e presidentit amerikan.

Të mërkurën, Trump tha se Vladimir Putin e kishte “pranuar” ftesën e tij, megjithëse presidenti rus ka treguar që ai ende po e studion propozimin.

Putin ka sugjeruar gjithashtu se 854 milionë eurot e nevojshme për të siguruar anëtarësim të përhershëm mund të tërhiqen nga asetet e ngrira ruse.

Skepticizmi ndërkombëtar

Vetëm një numër i vogël shtetesh e kanë refuzuar zyrtarisht ftesën e SHBA-së, me shumicën e të tjerëve që kanë zgjedhur heshtje të kujdesshme.

Franca “nuk ka ndërmend t’i përgjigjet në mënyrë të favorshme” kërkesës amerikane, thanë menjëherë ndihmësit e presidentit Emmanuel Macron, duke përmendur “çështje të mëdha” që rrethojnë OKB-në, parimet dhe struktura e së cilës “nuk mund të vihen në dyshim në asnjë rrethanë”.

Në Evropë, Mbretëria e Bashkuar gjithashtu e ka refuzuar ftesën.

“Kemi shqetësime në lidhje me presidentin Putin që është pjesë e diçkaje që pretendon të jetë për paqen”, tha sekretarja e Jashtme, Yvette Cooper.

Në përgjithësi, vendet e BE-së, të shqetësuara nga kërcënimet e Trumpit për Groenlandën, thonë se po presin për një koordinim më të ngushtë në nivel evropian.

Edhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni, e njohur si e afërt me Trumpin, ka thënë se i duhet më shumë kohë për të vendosur, duke përmendur çështje kushtetuese.

”Kryeministri spanjoll, Sanchez thekson se përputhshmëria me angazhimin e Madridit ndaj së drejtës ndërkombëtare, Kombeve të Bashkuara dhe multilateralizmit ishte arsyeja kryesore pse Spanja vendosi të mos marrë pjesë.

Ai shton gjithashtu se në Bordin e Paqes nuk ishte përfshirë Autoriteti Palestinez”, sipas Reuters.

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis ka ngritur “shqetësime ligjore” në lidhje me Bordin e ri të Paqes të Presidentit të SHBA-së Donald Trump, duke përmendur kundërshtimet e përbashkëta nga shumica e shteteve anëtare të BE-së, sipas ”Kathimerini”.

Duke folur ndërsa mbërriti në një samit të jashtëzakonshëm të BE-së në Bruksel, Mitsotakis tha se Greqia, së bashku me “pothuajse të gjitha vendet e BE-së, me dy përjashtime”, ka shprehur rezerva në lidhje me iniciativën, duke argumentuar se fushëveprimi i saj “e tejkalon shumë Rezolutën 2803 të Kombeve të Bashkuara” të miratuar në nëntor për t’i dhënë fuqi planit të paqes në Gaza.

Pavarësisht këtyre shqetësimeve, kryeministri tha se do të propozonte një kompromis sipas të cilit 13 vendet e BE-së të ftuara për të marrë pjesë në Bordin e Paqes do të nënshkruanin vetëm për fazën tjetër të procesit të Gazës dhe vetëm për aq kohë sa të ishte e nevojshme. /ATSH/

Share This