
Kurti kërkon kalim nga ndihma në investime të përbashkëta me Gjermaninë
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim bilateral me zyrtaren për Kosovën në Ministrinë Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim të Gjermanisë, Dr. Micong Klimes, ku ka theksuar nevojën që bashkëpunimi mes dy vendeve të kalojë nga ndihma financiare drejt investimeve të përbashkëta dhe bashkëpunimit ekonomik.
Gjatë takimit, Kurti ka shprehur mirënjohje ndaj Gjermanisë, duke e cilësuar atë partner të palëkundur për dekada.
Ai ka përmendur kontributin në zhvillimin e shoqërisë, infrastrukturës, shërbimeve dhe institucioneve nëpërmjet BMZ-së, GIZ-it, KfW-së, si dhe financimit të organizatave të shoqërisë civile.
Kurti ka theksuar se është e rëndësishme të kalohet në një nivel të ri bashkëpunimi, nga ndihma tek investimi i përbashkët.
Në këtë kontekst, ai ka nënvizuar se përtej granteve financiare nga Gjermania, Kosova ka nevojë për qasje në treg, investime dhe bartje të njohurive industriale që krijojnë vende pune dhe gjenerojnë të ardhura.
Duke folur për mërgatën kosovare në Gjermani, Kurti ka theksuar nevojën për një bashkëpunim të strukturuar bilateral dhe një platformë që mundëson investime.
Takimi është zhvilluar në kuadër të konferencës ndërkombëtare “Future Industry Minds 2026” në Gjermani.

