
40 raste me fruth në Kosovë, IKShPK bën thirrje për vaksinim
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se për periudhën 16 prill-22 qershor janë raportuar 40 raste të konfirmuara me fruth.
Sipas komunave, numër më i lartë i rasteve raportohet nga komuna e Ferizajt me njëmbëdhjetë (11) raste; Prishtina me nëntë (9) raste; Kaçaniku me gjashtë (6) raste; Fushë-Kosova me tre (3) raste; Lipjani, Vushtrria, Shtime dhe Obiliqi me nga dy (2) raste; si dhe me nga një (1) rast komunat: Gjilan, Drenas dhe Deçan.
IKSHPK-ja ka rekomanduar që çdo person me simptoma të dyshimta të fruthit, si temperaturë e lartë, skuqje apo ndryshime në lëkurë, kollë, rrufë ose konjuktivit, të paraqitet menjëherë në institucionet më të afërta shëndetësore.
“Duke pasur parasysh infektueshmërinë e lartë të fruthit, rrezikun e përhapjes së tij në komunitet dhe komplikimet që shkakton fruthi, IKShPK u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe të sigurojnë vaksinimin sipas Kalendarit të rregullt të imunizimit në qendrat e mjekësisë familjare. Vaksinimi mbetet masa më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit, mbrojtjen e individëve të pa-vaksinuar dhe ruajtjen e shëndetit publik”, theksohet në njoftim.

