
Raporti sekret- Propozimi me 10 pika i Iranit për SHBA: Tarifë 2 milionë dollarë për anije, garanci sigurie dhe heqje sanksionesh
Irani ka refuzuar një propozim për armëpushim 45-ditor, duke deklaruar se synon një përfundim të përhershëm të luftës.
Republika Islamike i ka dërguar SHBA-së një plan paqeje me 10 pika, përmes ndërmjetësimit të Pakistanit, sipas mediave shtetërore iraniane.
Businesstoday shkruan se propozimi përfshin disa kërkesa kyçe: garanci që Irani nuk do të sulmohet përsëri, ndërprerjen e sulmeve izraelite kundër Hezbollahut në Liban dhe heqjen e të gjitha sanksioneve.
Në këmbim, Teherani propozon heqjen e bllokadës së Ngushticës së Hormuzit, një rrugë kritike për transportin ndërkombëtar detar.
Një nga pikat më të spikatura të planit është vendosja e një tarife prej rreth 2 milionë dollarësh për çdo anije që kalon nëpër ngushticë.
Tarifa do të ndahet me Omanin, ndërsa pjesa e Iranit do të përdoret për rindërtimin e infrastrukturës së dëmtuar nga sulmet amerikane dhe izraelite.
Presidenti amerikan Donald Trump e cilësoi propozimin si “një hap të rëndësishëm”, por e hodhi poshtë duke thënë se “nuk është mjaftueshëm i mirë”.
Propozimi iranian parashikon gjithashtu një protokoll për kalim të sigurt nëpër Ngushticën e Hormuzit dhe thekson domosdoshmërinë e një përfundimi të përhershëm të armiqësive, duke refuzuar çdo ide për armëpushim të përkohshëm.
Mediat iraniane e kanë paraqitur planin si dëshmi se Irani ka “dorën e sipërme” në konflikt, duke përmendur bllokimin e anijeve në ngushticë dhe rrëzimin e një avioni amerikan F-15E.
Mojtaba Ferdousi Pour, kreu i misionit diplomatik të Iranit në Kajro, deklaroi për Associated Press: “Ne pranojmë një fund të luftës vetëm me garanci se nuk do të sulmohemi përsëri. Nuk i besojmë më administratës Trump pas bombardimeve të përsëritura ndaj Republikës Islamike.”
Nga ana tjetër, SHBA ka shtuar presionin ndaj Iranit për të hapur Ngushticën e Hormuzit, duke paralajmëruar se në të kundërt do të përballet me sulme të reja ndaj objektivave civile.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, paralajmëroi se “sot do të jetë vëllimi më i madh i sulmeve që nga dita e parë, ndërsa nesër edhe më shumë se sot.” /rtsh/


