Rama i drejtohet Kurtit me letër të hapur: Zhbllokoni Unazën e Prishtinës, rrezikohen mbi 82 milionë euro grant

Rama i drejtohet Kurtit me letër të hapur: Zhbllokoni Unazën e Prishtinës, rrezikohen mbi 82 milionë euro grant

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i ka dërguar një letër të hapur kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, përmes së cilës i ka kërkuar zhbllokimin e projektit të Unazës së Prishtinës, i cili sipas tij ka mbetur i bllokuar në nivelin qendror për më shumë se katër vjet.

Rama ka theksuar se Unaza e Prishtinës është një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore për kryeqytetin dhe për zhvillimin ekonomik të vendit, duke e cilësuar atë si investim me rëndësi strategjike kombëtare dhe rajonale.

Ai ka rikujtuar se gjatë fushatës zgjedhore, Kurti kishte bërë thirrje publike për zhbllokimin e këtij projekti, ndërsa tani, sipas Ramës, ekziston edhe mandati institucional për ta çuar përpara pa vonesa të tjera.

“Pas shprehjes së qartë të vullnetit demokratik të qytetarëve të Prishtinës, ekziston mandati institucional për ta çuar këtë projekt përpara pa vonesa të mëtejshme”, ka shkruar Rama.

Kryetari i Prishtinës ka bërë të ditur se projekti është miratuar për financim nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) në vlerë prej 206 milionë euro, prej të cilave deri në 40 për qind janë fonde grant, respektivisht rreth 82.4 milionë euro mjete të pakthyeshme. Ai ka paralajmëruar se zvarritjet institucionale rrezikojnë humbjen e këtyre fondeve.

Sipas Ramës, Unaza e Prishtinës është pjesë e rrjetit të autostradave të Ballkanit Perëndimor, duke e bërë atë projekt kombëtar e jo lokal. Humbja e fondeve, sipas tij, do të dëmtonte jo vetëm kryeqytetin, por edhe kredibilitetin institucional të Kosovës ndaj partnerëve ndërkombëtarë.

Në letër, Rama ka kërkuar që Qeveria në detyrë të zhbllokojë menjëherë të gjitha pengesat administrative dhe institucionale dhe të mundësojë fillimin e punimeve pa vonesa të tjera.

“Ky nuk është një projekt politik. Nuk i shërben një partie apo një mandati, por zhvillimit afatgjatë të vendit dhe cilësisë së jetës së qytetarëve. Është koha që interesat e qytetarëve të vendosen mbi çdo kalkulim politik”, ka përfunduar Rama.

Share This