Putin reagon ndaj Samitit Evropian: Është e pamundur të besohet se duam të sulmojmë Evropën

Putin reagon ndaj Samitit Evropian: Është e pamundur të besohet se duam të sulmojmë Evropën

Presidenti rus Vladimir Putin ka reaguar ndaj toneve të ashpra që erdhën nga Samiti i Komunitetit Politik Evropian në Kopenhagen, ku udhëheqësit evropianë u zotuan për një qasje më agresive ndaj Rusisë. Duke folur në Klubin Valdai, Putin hodhi poshtë pretendimet se “Rusia ka plane për të sulmuar Evropën”.

“Është e pamundur të besohet se Rusia dëshiron të sulmojë Evropën,” deklaroi Putin, duke shtuar se sipas tij, qeveritë e vendeve evropiane nuk e besojnë vetë këtë skenar, por po e shfrytëzojnë këtë retorikë për të frikësuar opinionin e tyre publik.

Megjithëse mohoi synimet sulmuese, Presidenti rus pranoi paqëndrueshmërinë e situatës aktuale globale, duke i bërë thirrje vendit të tij për përgatitje maksimale.

“Jetojmë në një kohë ku gjithçka po ndryshon shumë shpejt dhe duhet të jemi të përgatitur për çdo gjë që mund të ndodhë,” u shpreh ai, siç citohet nga agjencia RIA Novosti.

Putin iu kthye edhe njëherë tezës së tij se konflikti gjeopolitik aktual është një pasojë e përpjekjeve të dështuara të Perëndimit për të ruajtur dominimin. Ai argumentoi se zhvillimi i një bote shumëpolare – një koncept kyç i politikës së jashtme ruse – është “një pasojë e drejtpërdrejtë e përpjekjeve të Perëndimit për të ruajtur hegjemoninë globale”.

Këto deklarata vijnë në një kohë tensioni të lartë, ku vendet evropiane, të udhëhequra nga Presidenti francez Emmanuel Macron, po bëjnë thirrje për masa më agresive, duke përfshirë rrëzimin e dronëve rusë dhe goditjen e flotës në hije që transporton naftën ruse. /rtsh/

Share This