
Prokuroria Speciale: Dyshohet për mbetje mortore në Jabukë të Zubin Potokut
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, në kuadër të veprimeve hetimore që janë duke u zhvilluar lidhur me rastin në Zubin Potok, njofton se sot, më 2 gusht, gjatë veprimeve në terren është identifikuar një lokacion i dyshuar në fshatin Jabukë të Zubin Potokut, ku dyshohet se mund të ketë mbetje mortore.
Në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, Prokuroria Speciale do t’i paraqesë Gjykatës Themelore në Prishtinë kërkesë për lejimin e zhvarrimit dhe ekzaminimeve të nevojshme.
“Pas marrjes së autorizimeve përkatëse nga gjykata, Prokuroria Speciale, në koordinim me Policinë e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve të luftës dhe institucionet e tjera kompetente do të ndërmarrë veprimet e nevojshme”, njofton Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, raporton rtk.

