
Presion i madh mbi Infantinon, lëkundet lidershipi i FIFA-s
Situata në FIFA duket se po kalon një periudhë të tensionuar, ndërsa presioni ndaj presidentit Gianni Infantino është shtuar pas dështimit të projektit FIFA Forëard Enterprise (FFE).
Sekretari i përgjithshëm i FIFA-s, Mattias Grafstrom, një nga figurat më të rëndësishme në hierarkinë e organizatës pas Infantinos, u ka dërguar një mesazh punonjësve të institucionit, duke pranuar se javët e fundit kanë qenë të vështira dhe sfiduese për administratën.
Në letrën e tij drejtuar stafit, Grafstrom e përshkroi situatën rreth projektit të anuluar FFE si një periudhë të ndërlikuar, duke theksuar se organizata duhet të ruajë profesionalizmin dhe qetësinë përballë krizave të përkohshme.
“Individët, momentet e paqëndrueshme dhe episodet delikate vijnë e shkojnë. Institucioni, misioni i tij dhe përgjegjësia ndaj futbollit botëror vazhdojnë”, ishte mesazhi i tij për punonjësit e FIFA-s.
Sipas “The New York Times”, Grafstrom nuk kishte qenë në dijeni për skemën e FFE-së, e cila ishte hartuar nga Infantino. Edhe drejtori operativ i FIFA-s, Kevin Lamour, ka shprehur kritika ndaj këtij projekti, duke e cilësuar si një nismë të lidhur me një individ të vetëm dhe duke pretenduar se stafi i organizatës ishte mbajtur jashtë procesit.
Megjithëse mesazhi i Grafstromit ishte drejtuar kryesisht për qetësimin e punonjësve, ai shihet si një tregues i presionit të madh që po përballet lidershipi aktual i FIFA-s pas polemikave të fundit.

