Zjarret në Francë zbulojnë 400 predha të Luftës së Dytë Botërore, mbi 100 shpërthime tronditin një fshat

Zjarret në Francë zbulojnë 400 predha të Luftës së Dytë Botërore, mbi 100 shpërthime tronditin një fshat

Zjarret e mëdha në jugperëndim të Francës kanë nxjerrë në dritë rreth 400 predha dhe municione të mbetura nga Lufta e Dytë Botërore në fshatin Le Porge, sipas autoriteteve lokale.

Gjatë përhapjes së flakëve u dëgjuan mbi 100 shpërthime, të cilat fillimisht u menduan se ishin bombola gazi. Më vonë u konfirmua se nxehtësia kishte shkaktuar shpërthimin e municioneve të vjetra të groposura në tokë. Kryetari i bashkisë, Martial Zaninetti, e krahasoi situatën me “tingullin e luftës”.

Operacionet e çminimit kanë bërë të mundur kthimin e shumicës së banorëve në shtëpitë e tyre, megjithatë disa zona mbeten ende të mbyllura për arsye sigurie. Zjarri shkatërroi më shumë se 180 banesa në zonë.

Sipas autoriteteve, depot e fshehura të municioneve përmbanin armë si predha mortajash dhe predha antitank, të prodhimit gjerman dhe francez. Kryebashkiaku tha se askush nuk ishte në dijeni të ekzistencës së tyre dhe se një nga predhat shpërtheu duke përshkuar edhe një shtëpi.

Zjarri në rajonin Gironde, i cili zgjati rreth 10 ditë, tashmë është vënë nën kontroll. Fotografitë nga Le Porge tregojnë familje që po përpiqen të shpëtojnë çfarë ka mbetur nga shtëpitë e tyre të djegura.

Kryeministri francez Sébastien Lecornu falënderoi zjarrfikësit për punën e tyre dhe deklaroi se vendi po hyn në një fazë të re të menaxhimit të krizës, ndërsa banorët e evakuuar po kthehen gradualisht në zonat e tyre.

Gjatë dy javëve të fundit, zjarret kanë përfshirë disa vende të Evropës, veçanërisht Francën dhe Spanjën, ku janë evakuuar mbi 330 mijë persona. Në Francë janë djegur rreth 42 mijë hektarë pyje në jugperëndim të vendit, duke e bërë këtë një nga zjarret më të mëdha që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. /rtsh/

Share This