
Presidentja Osmani në Alpbach: Një gjeneratë që nuk njeh kufij
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar të rinjtë shqiptarë në Forumin Evropian Alpbach, gjatë qëndrimit të saj në Alpet austriake.
“Një gjeneratë që nuk njeh kufij! Pasdite e bukur në zemër të Alpeve austriake, mes të rinjve të jashtëzakonshëm shqiptarë në Forumin Evropian Alpbach. Të gjithë kanë një të përbashkët: dashurinë për vendin dhe vendosmërinë për ta bërë Kosovën më të mirë”, ka shkruar Osmani në rrjetet sociale.
Kreu i shtetit po qëndron prej disa ditësh në Austri, ku po merr pjesë në këtë forum prestigjioz. Gjatë fjalimeve dhe intervistave për mediat ndërkombëtare, ajo ka theksuar nevojën për anëtarësim sa më të shpejtë të Kosovës në Bashkimin Evropian.
Osmani ka paralajmëruar gjithashtu për rrezikun e destabilizimit në rajon nga Serbia dhe Rusia, duke kërkuar që Kosova të ketë mbështetje më të fuqishme nga partnerët perëndimorë.


