Presidenti Ademi: Gjyqtarët janë pjesë e pandashme e futbollit, roli i tyre garanton drejtësinë dhe rrjedhën e lojës

Presidenti Ademi: Gjyqtarët janë pjesë e pandashme e futbollit, roli i tyre garanton drejtësinë dhe rrjedhën e lojës

“Gjyqtarët janë pjesë e pandashme e futbollit dhe roli i tyre garanton drejtësinë dhe rrjedhën e lojës. Prandaj, investimi në gjenerata të reja është investim në vetë të ardhmen e futbollit tonë”, ka shkruar në Facebook presidenti i FFK-së, Agim Ademi.

Ai ka treguar se në këtë drejtim, sot, së bashku me gjyqtarët elitarë dhe kryetarin e Shoqatës së Gjyqtarëve, Përparim Hasani, folën për të ardhmen e ndarjes së drejtësisë në futbollin tonë.

“Ky takim njëherësh shënoi fillimin e një procesi shumë të rëndësishëm, rekrutimin e gjyqtarëve të rinj, të cilët do të jenë gjenerata e së ardhmes në futbollin vendor”.

“Me përvojën dhe dijen e tyre, gjyqtarët elitarë do të jenë udhërrëfyes, mentorë dhe mbikëqyrës të drejtpërdrejtë të zhvillimit të gjyqtarëve të rinj, duke i ndihmuar ata të rriten profesionalisht dhe të arrijnë standardet më të larta. Këta mentorë do të vendosin edhe për avancimin e gjyqtarëve në kategori, në bazë të zhvillimit dhe performancës së tyre”, ka theksuar Ademi.

Ai ka pohuar se ky proces lidhet drejtpërdrejt me fushatën e UEFA-s “Be A Referee”, e cila synon të motivojë dhe inkurajojë të rinjtë që të bëhen pjesë e referimit, duke qenë pjesë aktive e lojës më të bukur në botë.

“Besoj fuqishëm se përmes këtij angazhimi do të krijojmë një bazë solide për të ardhmen e futbollit kosovar, ku pasioni, profesionalizmi dhe ndershmëria do të jenë gjithmonë në qendër”, ka thënë kreu i FFK-së.

Share This