Kryeziu: Pa kompromis, nuk ka as Kuvend, as qeverisje

Kryeziu: Pa kompromis, nuk ka as Kuvend, as qeverisje

Pas publikimit të aktgjykimit të plotë, Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar Kuvendin e Kosovës që brenda 30 ditësh të zgjedhë kryetarin e ri të Kuvendit përmes votimit të hapur, duke e hedhur në votim të njëjtin kandidat jo më shumë se tri herë.

Në këtë kontekst, drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, tha se megjithëse Gjykata Kushtetuese i ka njohur Lëvizjes Vetëvendosje të drejtën si subjekti i parë për të propozuar kandidatin për kryeparlamentar, kjo nuk e përjashton nevojën për konsensus dhe marrëveshje politike.

“Në këtë moment, detyrimi politik për LV-në është i qartë: të ulet në tavolinë me subjektet e tjera, të negociojë dhe të gjejë një personalitet që mund të marrë besimin dhe votën e deputetëve, duke i hapur rrugë konstituimit të Kuvendit,” tha Kryeziu.

Ai shtoi se problemi kryesor mbetet qasja e Vetëvendosjes, e cila sipas tij shpesh e ka trajtuar këtë të drejtë si privilegj absolut, duke harruar se sistemi proporcional në Kosovë është i ngritur mbi kompromisin politik.

“Asnjë parti nuk mund të qeverisë e vetme dhe askujt nuk i jepet pushtet i pakushtëzuar. Pa kompromis, nuk ka as Kuvend, as qeverisje. Kompromisi është parimi që garanton funksionimin e institucioneve – nga zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, te presidenti, ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare e deri te përfaqësimi i komuniteteve,” theksoi Kryeziu.

Share This