Presidenti Ademi falënderon Qeverinë për mbështetjen e Kombëtares: Bashkë po e shkruajmë historinë

Presidenti Ademi falënderon Qeverinë për mbështetjen e Kombëtares: Bashkë po e shkruajmë historinë

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka falënderuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës për vlerësimin dhe mbështetjen e dhënë ndaj Kombëtares së Kosovës, pas suksesit të arritur në “play-off” të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

Suksesin e kombëtares së Kosovës, duke arritur në Play Off të Kupës së Botës, sot, qeveria në detyrë e shpërbleu me 250 mijë euro. Në rast të fitores ndaj Sllovakisë, Kurti ka premtuar 500 mijë euro shpërblim. E në rast të kualifikimit për Kupën e Botës, 1 milionë euro tjera.

Në një reagim publik, Ademi u shpreh se mbështetja financiare dhe institucionale e ekzekutivit është dëshmi e besimit të plotë në punën dhe përkushtimin e ekipit kombëtar dhe të strukturave të FFK-së.

“Sonte, në emër të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së dhe ekipit kombëtar, falënderoj kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe Qeverinë për shpërblimin e ndarë për suksesin e arritur. Kjo mbështetje është një shtysë e fuqishme për futbollistët tanë, të cilët janë të motivuar maksimalisht për ta çuar Kosovën drejt objektivit historik – kualifikimit në Kupën e Botës”, deklaroi Ademi.

Ai shtoi se shpërblimet e miratuara para ndeshjeve të radhës përbëjnë motivim shtesë për lojtarët dhe stafin teknik, në një fazë ku – siç theksoi – “çdo detaj dhe çdo motivim ka rëndësi të veçantë”.

Presidenti i FFK-së shprehu mirënjohje edhe për të gjithë ata që po qëndrojnë krah Kombëtares së Kosovës në këtë rrugëtim historik.

“Faleminderit të gjithëve për përkrahjen. Kjo mbështetje është jetike në këtë fazë vendimtare. Bashkë po e shkruajmë historinë”, përfundoi Ademi.

Share This