
Policia konfirmon vdekjen e një gruaje pasi u godit nga treni në Pejë
Policia e Kosovës ka konfirmuar një ngjarje tragjike që ndodhi mëngjesin e së hënës në Pejë, ku një grua humbi jetën pasi u godit nga treni.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, tha se rasti është raportuar rreth orës 05:35, ndërsa vdekja e viktimës është konstatuar në vendin e ngjarjes nga mjeku kujdestar.
“Rreth orës 05:35 është raportuar se një person është goditur nga treni. Njësitet policore dhe ekipi i Emergjencës kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës. Rasti është duke u hetuar,” ka deklaruar Gashi.
Ndërkohë, Sinjali raporton se viktima është një grua rreth 50-vjeçare, me inicialet F.M.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent, ndërsa njësitet hetimore kanë nisur veprimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike.

