Policia e Kosovës apelon për kujdes në trafik

Policia e Kosovës apelon për kujdes në trafik

Bazuar në situatën e tanishme ku kemi ndryshim të kushteve atmosferike dhe reshje të shiut, të paralajmëruar nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, Policia e Kosovës apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në veçanti shoferëve të automjeteve për kujdes të shtuar, përshtatje të shpejtësisë me kushtet atmosferike dhe me gjendjen e rrugës, mbajtje të distancës mes mjeteve si dhe ngadalësim gjatë lëvizjes në rrugë të mbuluara me ujë.

Ndërkaq Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se gjatë datave 18–19.11.2025 në vendin tonë parashihet të ketë reshje shiu, të cilat në disa zona pritet të jenë me intensitet të lartë. Këto reshje mund të shkaktojnë vërshime të shpejta dhe rritje të nivelit të ujërave në disa lokalitete.

Po kështu, Agjencia e Menaxhimit Emergjent, bazuar në mandatin dhe misionin e saj, ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për menaxhimin e situatës dhe koordinimin me institucionet relevante.

Agjencia u bën thirrje qytetarëve që të kenë kujdes gjatë qarkullimit, të shmangin zonat me rrezik vërshimesh, dhe të raportojnë çdo situatë emergjente në numrin unik 112.

Share This