
Përshkallëzohet situata SHBA-Venezuelë, Trump: Maduro do të ishte i mençur të largohej nga vendi
Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Venezuelës vijojnë të rriten, pas deklaratave të ndërsjella mes presidentit amerikan Donald Trump dhe homologut të tij venezuelian Nicolas Maduro.
Presidenti Trump, duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve, përsëriti se “do të ishte e mençur” që Maduro të largohej nga pushteti.
“Varet prej tij të vendosë nëse dëshiron të largohet. Mendoj se do të ishte e mençur nga ana e tij,” tha Trump në stilin e tij karakteristik.
Nga ana tjetër, Maduro reagoi duke i kthyer përgjigje Trump-it se duhet të përqendrohet në problemet e brendshme të SHBA-së.
“Presidenti Trump mund të bënte më mirë në vendin e tij dhe në botë. Ai do të bënte më mirë nëse do të përqendrohej në çështjet ekonomike dhe sociale në vendin e tij,” u shpreh Maduro.
Ndërkohë, tensionet janë shtuar edhe nga sanksionet e reja të shpallura nga Departamenti i Thesarit amerikan ndaj anëtarëve të familjes së Maduros.
Sipas raportimit të CNN, këto masa përbëjnë serinë e dytë të sanksioneve brenda dy javësh. /rtsh/


