Përshkallëzohet konflikti- SHBA nis sulme të rënda ndaj Iranit, Trump: Ata e dinë çfarë do të ndodhë

Përshkallëzohet konflikti- SHBA nis sulme të rënda ndaj Iranit, Trump: Ata e dinë çfarë do të ndodhë

Ushtria amerikane kreu të mërkurën sulme kundër objektivave iraniane, në atë që e cilësoi si hakmarrje për përpjekjet e Iranit për të goditur me raketa balistike forcat amerikane.

Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se goditi dhjetëra objektiva të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), si përgjigje ndaj sulmeve të së martës, kur Irani tentoi të godiste baza amerikane në Jordani dhe anije në Ngushticën e Hormuzit.

Përshkallëzimi i fundit erdhi vetëm një ditë pasi konflikti u zgjerua, me sulmet e para të përbashkëta SHBA–Arabia Saudite të shpallura publikisht, të cilat kishin në shënjestër forcat e mbështetura nga Irani në Irak.

Sulmet e reja të ashpra kundër Iranit u njoftuan nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në shenjë hakmarrjeje për raketat balistike të lëshuara nga Teherani kundër bazave ushtarake amerikane në Jordani.

“Ata e dinë se çfarë do të ndodhë. Po na kërkojnë të mos e bëjmë, por e dini që ata u përpoqën të na godisnin mbrëmë”, paralajmëroi Trump. “Pra, është radha jonë. Do të shohim nëse mund të bëjmë një marrëveshje në një moment. Por do t’i godasim shumë fort”, u tha ai gazetarëve në Zyrën Ovale.

Përshkallëzimi i ri vjen pas disa ditësh qetësie relative. Për disa ditë, të dyja palët pezulluan sulmet, ndërsa kishte sinjale se mund të rifillonin përpjekjet diplomatike. Trump i përshkroi ato si “negociata shumë miqësore”, ndërsa Teherani mohoi se po zhvilloheshin bisedime.

Kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën operacionet ushtarake kundër Iranit në shkurt, presidenti Donald Trump deklaroi se lufta do të zgjaste vetëm disa javë. Megjithatë, konflikti ka hyrë në muajin e pestë, pa asnjë shenjë të një zgjidhjeje të afërt. /rtsh/

Share This