Përparim Rama me video-mesazh para zgjedhjeve: “Rruga që nisëm për Prishtinën nuk ndalet”

Përparim Rama me video-mesazh para zgjedhjeve: “Rruga që nisëm për Prishtinën nuk ndalet”

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka publikuar një video-mesazh në rrjetin social Facebook, një ditë para zgjedhjeve, ku u është drejtuar qytetarëve të kryeqytetit me thirrjen për të vazhduar “rrugën e zhvillimit dhe të punës”.

Në mesazhin e tij, Rama tha se në katër vitet e fundit është nisur një rrugëtim që nuk duhet të ndalet, duke theksuar projektet e mëdha që janë realizuar gjatë mandatit të tij.

“Më të dashurit e mi, qytetarë të Prishtinës, katër vite më parë nisëm bashkë një rrugëtim të ri për kryeqytetin tonë, me përkushtim e dashni për Prishtinën, që ta bëjmë më funksionale, më të gjelbër e më moderne, ashtu siç i takon. Kemi nisur një rrugë që nuk ndalet – rrugën e projekteve të mëdha, të punës dhe zhvillimit, të kthimit të dinjitetit qytetar për fëmijët e familjet,” – u shpreh Rama.

Ai theksoi se puna e bërë deri më tani duhet të vazhdojë me një mandat të ri, për të përfunduar projektet e nisura:

“Prishtina ka nevojë ta vazhdojë vizionin e saj përtej çdo vështirësie, me projektet e mëdha të rrugëve e infrastrukturës, me shkolla me mësim tërëditor e kopshte të reja, me ambulanca shëndetësore në shërbim të fëmijëve, nënave, vajzave, të moshuarve e secilit qytetar.”

Në fund të mesazhit, Rama bëri thirrje për pjesëmarrje në zgjedhje dhe për votë në mbështetje të punës së bërë në kryeqytet:

“Për ta çuar këtë vizion deri në fund na duhet një fitore tjetër. T’i përfundojmë projektet që i kemi nisur me dashni e përgjegjësi. E diela është dita e demokracisë, e nesër është dita e fitores së Prishtinës. Qytetarë, votoni për punën që s’u ndal asnjë ditë.”

Video-mesazhi i Rramës vjen në prag të zgjedhjeve komunale, ku ai synon një mandat të dytë në krye të Komunës së Prishtinës.

Share This