PDK shpalos zotimet e Bedri Hamzës në Mitrovicë: Rritje pagash, pensionesh dhe ulje të TVSH-së

PDK shpalos zotimet e Bedri Hamzës në Mitrovicë: Rritje pagash, pensionesh dhe ulje të TVSH-së

Në prani të qytetarëve të Mitrovicës, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka shpalosur edhe një herë zotimet kryesore të kandidatit të saj për kryeministër, Bedri Hamza.

Pesë zotimet kryesore janë prezantuar përmes një video-projektori, ku Hamza ka premtuar rritje të pagave prej 50 për qind, rritje të pensioneve, si dhe ulje të tatimeve dhe të TVSH-së në produktet bazë, përfshirë edhe energjinë elektrike.

Kryetari i Degës së PDK-së në Mitrovicë, Arian Tahiri, ka deklaruar se këto zgjedhje janë tejet të rëndësishme, pasi sipas tij janë të parat pas një procesi zgjedhor që nuk ka ofruar zgjidhje për qytetarët e Kosovës.

“Andaj qytetarët e Mitrovicës duhet t’ia japin votën një personi që në secilën pozitë ku ka shërbyer, ka qenë i përgjegjshëm dhe llogaridhënës. Kosova sot ka nevojë për lidership dhe për një kryeministër racional”, ka thënë Tahiri.

Ai ka shtuar se PDK-ja në Mitrovicë ka qenë subjekt i presioneve dhe shantazheve, duke e cilësuar garën zgjedhore si një betejë të drejtpërdrejtë me kryeministrin aktual, Albin Kurti.

Ndërkaq, kryetari i PDK-së dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, duke folur për rëndësinë e Mitrovicës, ka thënë se qeverisja e Kurtit duhet të ndërpritet, pasi sipas tij është karakterizuar nga përçarja dhe ndarja e qytetarëve.

“Viteve të fundit kemi pasur një qeveri që ka politizuar, ka bërë ndarje, ka premtuar e nuk ka përmbushur. Çmimet janë rritur ndjeshëm, disa edhe mbi 100 për qind. Një prej tyre është energjia elektrike, e cila e ka përkeqësuar standardin e jetesës së qytetarëve. Kjo duhet të ndërpritet”, ka deklaruar Hamza.

Ai ka theksuar se qeveria e ardhshme do të ndërmarrë reforma për krijimin e një klime më të favorshme për bizneset, ndërmarrjet dhe fermerët.

Hamza ka përsëritur gjithashtu premtimin për krijimin e fondit të sigurisë për punëtorët e sektorit privat, në rast se mbesin pa punë, si dhe ka premtuar ndarjen e 30 milionë eurove për bursa studentore që në vitin e parë të qeverisjes.

Po ashtu, ai ka thënë se do të subvencionojë me nga 100 euro secilin çift për fëmijën e parë që dërgon në çerdhe, do të themelojë Gjykatën e Punës dhe se Mitrovica do të bëhet me spital të ri rajonal.

Në fund, Hamza ka bërë të ditur se në nisje të fushatës ka vizituar në Hagë ish-krerët e PDK-së, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, të cilët, sipas tij, i kanë përcjellë një porosi të përbashkët: që PDK-ja të qëndrojë e bashkuar.

Share This