
PDK merr pjesë në seancën e 9 shtatorit, Hamza: Do të jemi në Kuvend
Partia Demokratike e Kosovës do të marrë pjesë në seancën e 9 shtatorit për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Kështu ka bërë të ditur kreu i PDK-së, Bedri Hamza, i cili ka kritikuar mënyrën se si është menaxhuar procesi i konstituimit të Kuvendit.
Hamza ka thënë se gjatë diskutimeve të zhvilluara ka pasur një konstatim të qartë se Kushtetuta e Kosovës është shkelur, duke përmendur edhe mosrespektimin e një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, transmeton Klankosova.tv.
“Ka pasur diskutime të hapura, shumë përmbajtësore, me një konstatim që Kushtetuta e Kosovës është shkelur. Është shkelur aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, është aktgjykim që sqaron qartë që Kuvendi duhet të konstituohet 30 ditë pas certifikimit të rezultatit zgjedhor. Kjo nuk ka ndodhur”, ka deklaruar Hamza pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të kësaj partie.
Ai ka kritikuar edhe vonesën në thirrjen e seancës, duke thënë se nuk ka pasur arsyetim juridik apo faktik përse ajo nuk është thirrur më herët.
“Edhe pse Kurti e ka ditur këtë çështje, kanë vazhduar me interpretimet e tyre. Nuk ka asnjë arsyetim apo shpjegim faktik, logjik, juridik pse seanca nuk u thirr më herët, por më datën 9”, është shprehur ai.
Sipas Hamzës, edhe pjesëmarrja në seancën e 9 shtatorit nuk garanton se procesi do të përfundojë me konstituimin e Kuvendit.
“Edhe kjo mund të jetë një ftesë që mundet të mos konstituohet, me bërë veprime dhe lojëra tjera politike. PDK do të jetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka thënë kreu i PDK-së.

