
PDK mban tubim madhështor në Prizren: Totaj premton vazhdim të transformimit të qytetit
Në një atmosferë entuziazmi dhe bashkimi, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mbajtur një tubim madhështor në Prizren me nëndegët “11 Marsi” dhe “2 Korriku”, ku pjesëmarrja e madhe e qytetarëve dëshmoi mobilizimin e fuqishëm për fitoren në balotazhin e 9 nëntorit.
Kryetari aktual i Prizrenit, Shaqir Totaj, në adresimin e tij para të pranishmëve, tha se puna dhe vizioni për zhvillimin e qytetit do të vazhdojnë me intensitet edhe më të madh në mandatin e dytë.
“Prizreni po ecën me hapa të sigurt drejt transformimit dhe modernizimit maksimal. Çdo projekt, çdo nismë, është dëshmi e punës dhe përkushtimit tonë për qytetin,” u shpreh Totaj.
Ai theksoi se besimi dhe përkrahja e qytetarëve janë motivi kryesor për të çuar përpara projektet që e bëjnë Prizrenin model zhvillimi në gjithë Kosovën.
“Fryma e bashkimit dhe energjia që po e shohim sonte janë garanci për fitoren e madhe të 9 nëntorit. Bashkë do ta çojmë Prizrenin edhe më lart,” tha Totaj, duke falënderuar përkrahësit dhe strukturat e PDK-së për angazhimin e tyre.
Tubimi u cilësua si dëshmi e organizimit të fuqishëm të PDK-së në Prizren dhe e gatishmërisë për një garë vendimtare në prag të balotazhit.

