PDK: Mandatimi i VV-së është humbje kohe – zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e reja

PDK: Mandatimi i VV-së është humbje kohe – zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e reja

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt të Kryesisë, ku është diskutuar për zhvillimet politike në vend, rezultatin e raundit të parë të zgjedhjeve lokale dhe përgatitjet për balotazhin e 9 nëntorit.

Në komunikatën pas mbledhjes, PDK ka vlerësuar se dhënia e mandatarit sërish Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e qeverisë përbën “humbje kohe dhe zvarritje të panevojshme”, duke theksuar se asnjë subjekt nuk ka shumicën për formimin e qeverisë nga kjo legjislaturë.

Partia ka përsëritur qëndrimin se nuk do të votojë asnjë mandatar nga VV-ja, duke theksuar se zgjedhjet e parakohshme janë “zgjidhja e vetme për tejkalimin e krizës politike dhe rikthimin e legjitimitetit qytetar”.

Sipas PDK-së, kriza e stërzgjatur e shkaktuar nga VV ka dëmtuar të gjitha fushat dhe ka rrezikuar miratimin me kohë të buxhetit të shtetit, gjë që mund të sjellë vonesa në pagesat për qytetarët vitin e ardhshëm.

Kryetari i partisë, Memli Krasniqi, shprehu mirënjohje për angazhimin e anëtarëve dhe përkrahësve të PDK-së, duke theksuar se partia është rikthyer në vendin e parë pas 12 vitesh, me 187.526 vota dhe 206 ulëse në kuvendet komunale.

Në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, PDK ka fituar në Ferizaj, Skënderaj dhe Han të Elezit, ndërsa ka rritur ndjeshëm përkrahjen për kandidatët e saj në nivel vendi.

Krasniqi ka bërë thirrje për mobilizim maksimal në balotazhin e 9 nëntorit, veçanërisht në Mitrovicë, Prizren, Vushtrri, Kaçanik, Klinë dhe Dragash, ku PDK synon fitore në raundin e dytë të zgjedhjeve.

Share This