
PDK do të bëhej më e fortë me Fatmir Limajn, Sylejman Selimin, Rrustem Mustafën, Atifete Jahjagën, thotë Lladrovci
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka kërkuar që Partia Demokratike e Kosovës të zgjerojë radhët dhe të angazhojë figura me peshë që aktualisht nuk janë pjesë e politikës aktive, duke e konsideruar këtë si hap të domosdoshëm para zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Në një shkrim të publikuar në Facebook, Lladrovci thotë se PDK do të forcohej ndjeshëm nëse në proceset e ardhshme politike do të përfshiheshin personalitete të njohura publike, përfshirë Sylejman Selimin, Fatmir Limajn, Rrustem Mustafën, ish-presidenten Atifete Jahjaga, Buna Mustafën, Kolë Krasniqin, si dhe vajzat e profesor Anton Çettës – Agatën dhe Donikën.
“PDK do të bëhej më e fortë me profilet e Sylejman Selimit, Fatmir Limajt, Rrustem Mustafës, Atifete Jahjagës, Buna Mustafës, Kolë Krasniqit, apo përfshirja e vajzave të Profesor Çettës, Agatës dhe Donikës, si dhe personaliteteve tjera për zgjedhjet që na presin,” ka shkruar Lladrovci.
Ai kujton se dikur PDK-ja në Prishtinë kishte dhjetëra profesorë e doktorë shkencash në radhët e saj – një kapacitet që sipas tij sot mungon, si brenda partisë, ashtu edhe në Kuvend.
Lladrovci thekson se Kosova ka nevojë për qartësim kursi, rikthim te vlerat mbi të cilat është ndërtuar shteti dhe një angazhim serioz të strukturave për të siguruar fitore më 28 dhjetor.
Ky apel i tij vjen në një moment kur partitë politike po finalizojnë listat dhe strategjitë për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të fundvitit.


