
Pas vdekjes së punëtorit në KEK, Rizvanolli kërkon llogaridhënie
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka kërkuar nga bordi dhe menaxhmenti i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) që të zhvillojnë urgjentisht një hetim administrativ lidhur me vdekjen tragjike të një punëtori të enjten.
Rizvanolli ka bërë të ditur se, përveç hetimit të rastit, ka kërkuar edhe rivlerësimin e masave të sigurisë për punëtorët e KEK-ut dhe zbatimin rigoroz të protokolleve për shëndetin dhe sigurinë në punë.
Ajo ka kërkuar gjithashtu që të ketë llogaridhënie të plotë nëse hetimet konstatojnë neglizhencë në vendin e punës apo shkelje të protokolleve të sigurisë.
“Me dhimbje të thellë mora lajmin për vdekjen tragjike të punëtorit të KEK-ut, Arbenit Ahmeti. Familjes Ahmeti, të afërmve dhe kolegëve të tij u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta. Përderisa presim që organet kompetente të hetojnë këtë rast, nga Bordi dhe menaxhmenti i KEK-ut kam kërkuar që urgjentisht të sigurojnë hetim administrativ të rastit dhe llogaridhënie të plotë në rast se konstatohet neglizhencë në punë apo shkelje e protokolleve të shëndetit dhe sigurisë. Njëkohësisht, nga KEK-u kam kërkuar veprime emergjente për të rivlerësuar masat e sigurisë së punëtorëve dhe për të garantuar zbatimin rigoroz të tyre”, ka shkruar ajo në Facebook.

