
Pas protestës së Vidovdanit, valë bllokadash në Serbi
Pas arrestimeve të disa studentëve gjatë dhe pas protestës së djeshme në Beograd, sonte janë organizuar bllokada të shumta të komunikacionit në disa pjesë të Serbisë, përfshirë Beogradin dhe Novi Sadin.
Protestat u nxitën nga thirrjet e studentëve dhe organizimeve qytetare, duke kundërshtuar, siç u tha, “represionin e regjimit të Vuçiqit” ndaj pjesëmarrësve të protestave.
Sipas raportimeve nga mediat në Serbi, janë arrestuar gjithsej tetë persona deri në orën 22:30, të cilëve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Në Beograd, është bllokuar ura “Gazela”, ndërsa raportimet flasin se për shkak të barrikadave nuk është i mundur kalimi as në këmbë. Po ashtu, janë bllokuar edhe pjesë të tjera të qytetit, ku protestuesit po vendosin barrikada me kontejnerë dhe gardhe, duke lënë vetëm një korsi të hapur për të shmangur bllokimin total.
Në Novi Sad, situata është përshkallëzuar, me të gjitha kryqëzimet në Bulevardin e Lirisë janë të bllokuara. Qytetarët kanë ndërtuar barrikada me mjete të improvizuara, duke paralizuar gjysmën e qytetit në aspektin e qarkullimit.
Fronti i gjelbërt i majtë i ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkohen në këto aksione të mosbindjes civile, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të studentëve të arrestuar dhe ndaljen e represionit shtetëror. /rtk/


