
Parker konfirmon rikthimin Brojës nga lëndimi: Ai është një top-lojtar
Minutat e fundit të sfidës ndaj Anglisë sollën shqetësim për kombëtaren shqiptare, pasi Armando Broja u detyrua të largohej nga fusha pas një goditjeje që ngriti alarmin për një tjetër dëmtim të mundshëm.
Megjithatë, frika tashmë është larguar – gjendja e sulmuesit kuqezi nuk paraqitet serioze.
Trajneri i Burnley-t, Scott Parker, ka konfirmuar para ndeshjes së radhës në Premier Ligë kundër Chelseat se Broja është rikthyer në stërvitje me grupin dhe po përgjigjet mirë.
“Jam i kënaqur që nuk është një lëndim serioz. Broja është një top lojtar. Ai nuk është në huazim te Burnley, por është blerë nga ne”, u shpreh Parker.
Ky është një zhvillim pozitiv edhe për trajnerin e Shqipërisë, Sylvinho, i cili shpreson ta ketë sulmuesin në gjendjen më të mirë të mundshme në muajin mars, kur kuqezinjtë do të luajnë në play-off-in e Botërorit 2026 kundër Polonisë, ndërsa në rast suksesi do të përballen me Ukrainën ose Suedinë në finale.
Broja ka kaluar një periudhë të vështirë për shkak të lëndimeve të njëpasnjëshme, ndërsa në ndeshjet e fundit ndaj Andorrës dhe Anglisë nuk arriti të gjente rrjetën.
Aktivizimi i rregullt në Premier Ligë do të ishte i domosdoshëm për ta rikthyer në formën optimale, duke rritur shanset që ai të jetë një armë e fortë për Shqipërinë në ndeshjet vendimtare të pranverës.


