
Paralajmërimi i Zelensky-t, Ukraina kërcënohet nga një sulm masiv rus, Presidenti u kërkon partnerëve urgjentisht raketa “Patriot”
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka lëshuar një paralajmërim urgjent përmes një reagimi në rrjetin social X, ku njoftoi se forcat ruse kanë përgatitur një sulm ushtarak masiv dhe se ekziston një mundësi e lartë që ai të ndërmerret gjatë orëve të natës.
Deklarata e kreut të shtetit ukrainas bazohet në një raport zyrtar të marrë nga Komandanti i Forcave Ajrore, Anatoly Kryvonozhko.
Apeli për ndihmë urgjente ndaj SHBA-së dhe aleatëve
Përballë rrezikut të një vale të re goditjesh ajrore, Zelensky u bëri thirrje drejtpërdrejt partnerëve ndërkombëtarë — veçanërisht Uashingtonit — që të përshpejtojnë furnizimin me sisteme të mbrojtjes kundërajrore për të mbrojtur jetët e civilëve.
“Është e rëndësishme që partnerët tanë ta kuptojnë plotësisht se çfarë po ndodh dhe se mbrojtja e jetëve varet drejtpërdrejt nga gatishmëria e tyre, ose mungesa e saj, për të na ndihmuar me raketa mbrojtëse ajrore. Para së gjithash, kjo ka të bëjë me Shtetet e Bashkuara dhe ata partnerë që kanë raketa Patriot dhe mund t’i ofrojnë ato për të mbështetur mbrojtjen tonë.”, tha Volodymyr Zelensky, President i Ukrainës
Udhëheqësi ukrainas nëvizoi se vonesat në furnizim sjellin pasoja të rënda në terren, duke theksuar se “secili partner e di se çfarë nevojitet dhe i kupton plotësisht pasojat e vonesës”.
Thirrja për qytetarët ukrainas
Në përfundim të mesazhit të tij, Zelensky iu drejtua popullit ukrainas në të gjitha rajonet e vendit që të tregojnë kujdes maksimal dhe të zbatojnë udhëzimet e sigurisë gjatë natës.
“U bëj thirrje bashkatdhetarëve të mi në të gjitha rajonet e Ukrainës që t’i kushtojnë vëmendje paralajmërimeve për sulme ajrore sot dhe të qëndrojnë të sigurt.”, apeloi ai.
Pritshmëria për një sulm të përmasave të mëdha vjen në një moment kritik për infrastrukturën dhe mbrojtjen ajrore të Ukrainës, ndërsa autoritetet lokale kanë vënë në gatishmëri të lartë shërbimet e emergjencës. /rtsh/

