Osmani: LDK nuk kërkon poste, synimi shmangia e zgjedhjeve të reja

Osmani: LDK nuk kërkon poste, synimi shmangia e zgjedhjeve të reja

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas deklaratës së kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, se partia tërhiqet nga kërkesa për pjesëmarrje në qeveri dhe për postin e presidentit.

Osmani ka shpërndarë në rrjetet sociale konferencën për media të Abdixhikut, duke theksuar se LDK-ja nuk kërkon poste apo pjesëmarrje në pushtet, me synimin për të shmangur zgjedhjet e reja dhe për t’i hapur rrugë zgjedhjes së presidentit të Republikës.

“Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kërkon asnjë pozitë e as pjesëmarrje në pushtet, me qëllim që të evitohen zgjedhjet e reja dhe t’i japim vendit President të Republikës që mbron Kushtetutën dhe vendin”, ka shkruar Osmani.

Ajo ka theksuar se fokusi duhet të jetë përtej interesave të momentit politik, duke bërë thirrje që vendimet e sotme të merren duke pasur parasysh të ardhmen e vendit.

“Ne nuk jemi këtu vetëm për sot. Jemi, mbi të gjitha, këtu për gjeneratat që do të vijnë pas nesh e nuk duhet të na gjykojnë për pushtetin që e morëm, por për shtetin që ua lamë”, ka deklaruar Osmani.

Deklarata e saj vjen pas qëndrimit të Abdixhikut se LDK-ja po heq dorë nga kërkesat për përfshirje në qeverisje, duke e vendosur shmangien e zgjedhjeve të reja dhe zgjidhjen e çështjes së presidentit në qendër të qëndrimit të saj politik.

Share This