Haziri kritikon VV-në: Kuvendi nuk duhet të kthehet në hapësirë të sharjeve e thirrjeve për vrasje

Haziri kritikon VV-në: Kuvendi nuk duhet të kthehet në hapësirë të sharjeve e thirrjeve për vrasje

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe deputeti i kësaj partie, Lutfi Haziri, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në Kuvendin e Kosovës, duke kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për atë që e ka cilësuar si shndërrim të sallës plenare në “zallamahi”.

Përmes një postimi në Facebook, Haziri ka thënë se salla e Kuvendit të Republikës nuk duhet të jetë vend ku dëgjohen sharje dhe thirrje për vrasje.

“E patë qysh n’pikë t’ditës VV e shndërroi sallën e Kuvendit të Republikës në zallamahi! Salla plenare e Kuvendit të Republikës nuk bën të kthehet në han ku vlojnë sharjet e thirrjet për vrasje”, ka shkruar Haziri.

Ai ka kritikuar gjithashtu qasjen ndaj mërgimtarëve, duke thënë se përplasjet politike nuk duhet të drejtohen ndaj tyre.

“Ne nuk duhet të ballafaqohemi me mërgimtarët, por me ata që e mbajnë derën e mbyllun për deputetë dhe me ata hapin dyer për sharje e thirrje për vrasje!”, ka deklaruar Haziri.

Duke folur për qëndrimin e LDK-së pas zhvillimeve politike, Haziri ka theksuar se partia e tij, sipas tij, nuk kërkon poste, por rol në proceset institucionale.

“LDK nuk kërkon asgjë pos rolit të saj shtetnor për konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Presidentit e Qeverisë”, ka shkruar ai.

Haziri ka rikujtuar edhe qëndrimin e LDK-së ndaj konceptit të “parti-shtetit”, duke thënë se kjo mendësi është rrënuar prej kohësh.

“Mos e harroni se mendësinë parti-shtet e kemi rrënu moti kohë. Kemi qenë përherë besë e shpresë për Republikën”, ka deklaruar ai.

Në pjesën e fundit të reagimit, Haziri ka thënë se LDK-ja po i rikthehet, sipas tij, pragmatizmit politik dhe se bashkëpunimi duhet të shërbejë për krijimin e proceseve të reja politike, e jo domosdoshmërisht për zgjedhje të reja.

“Pas dy vitesh, LDK i rikthehet pragmatizmit, ajo që tradicionalisht e ka karakterizu partinë që inicoi e shkaktoi procese, për ta realizu andrrën e shqiptarëve të Kosovës për liri, pavarësi e demokraci”, ka shkruar Haziri.

Ai ka shtuar se refuzimi i bashkëpunimit e ka shtyrë LDK-në drejt nismave të reja politike.

“Kur ofrohesh për bashkëpunim e nuk të pranohet, atëherë jemi shtyrë në shkaktim të proceseve të reja. Proceseve politike e jo zgjedhore”, ka përfunduar Haziri.

Share This