
Nuk ndodh përmbysja, Atletico Madrid prek finalen e Kupës së Mbretit
FC Barcelona ka fituar 3-0 ndaj Atletico Madrid në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale të Kupës së Mbretit, por kjo nuk ka mjaftuar për të përmbysur humbjen 4-0 nga takimi i parë, me madrilenët që sigurojnë finalen për herë të parë që nga sezoni 2012/13, raporton Rekordi.net.
Barcelona e nisi takimin me ritëm të lartë, duke kërkuar që në minutat e para të ngushtojë epërsinë e thellë të krijuar nga “Los Colchoneros” në sfidën e parë. Megjithatë, planet e katalunasve u goditën herët, pasi Jules Koundé u detyrua të largohej nga fusha pas vetëm 11 minutash lojë.
Me rreth 70 për qind posedim të topit, vendasit e shtynë Atleticon në gjysmën e vet të fushës për pjesën më të madhe të fraksionit të parë. Madrilenët u mbrojtën me disiplinë, ndërsa edhe Antoine Griezmann u pa shpesh në detyra mbrojtëse. Pikërisht francezi regjistroi goditjen e parë në portë për mysafirët, por portieri Joan Garcia ishte i vëmendshëm.
Presioni i Barcelonës u shpërblye pas gjysmë ore lojë, kur Marc Bernal realizoi pas një asistimi nga Lamine Yamal, duke ndezur atmosferën në “Camp Nou”. Vendasit vazhduan me intensitet të lartë, por linja e lartë mbrojtëse i la hapësira kundërsulmeve të Atleticos, me Ademola Lookman që ishte pranë golit.
Në kohën shtesë të pjesës së parë, Pedri fitoi një penallti, të cilën Raphinha e konkretizoi me sukses, duke çuar rezultatin në 2-0 para pushimit.
Në pjesën e dytë, Atletico hyri më e organizuar, por Barcelona vazhdoi të kërkojë golin e tretë. Portieri Juan Musso realizoi një pritje të dyfishtë spektakolare për të mbajtur gjallë shpresat e skuadrës së drejtuar nga Diego Simeone. Ky i fundit hodhi në fushë Alexander Sørloth për të shtuar forcën në sulm.
Dominimi i Barcelonës u konkretizua sërish në minutën e 70-të, kur nga një goditje këndi e ekzekutuar bukur nga João Cancelo, Marc Bernal realizoi golin e dytë personal për 3-0. Megjithatë, koha e mbetur nuk mjaftoi për të kompletuar përmbysjen e madhe.
Me këtë rezultat, Barcelona nuk do të ketë mundësinë të mbrojë trofeun e fituar sezonin e kaluar, ndërsa Atletico Madrid pret fituesin e çiftit mes Real Sociedadit dhe Athletic Bilbaos në finalen e Kupës së Mbretit. /Rekordi.net


