Nis viti i ri shkollor, Policia apelon për kujdes të shtuar në trafik

Nis viti i ri shkollor, Policia apelon për kujdes të shtuar në trafik

Me fillimin e vitit të ri shkollor, Policia e Kosovës u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht në afërsi të shkollave dhe institucioneve arsimore.

Policia ka theksuar se mbrojtja e fëmijëve në komunikacion duhet të jetë prioritet për çdo drejtues automjeti dhe pjesëmarrës tjetër në trafik.

Në njoftimin e saj, Policia ka rikujtuar shoferët se fëmijët mund të lëvizin në mënyrë të paparashikueshme, ndaj kërkohet vëmendje dhe vigjilencë maksimale në zonat përreth shkollave.

“Fëmijët janë të paparashikueshëm në lëvizje”, thuhet në apelin e Policisë, e cila u ka kërkuar drejtuesve të automjeteve që të respektojnë me përpikëri kufizimet e shpejtësisë.

Në veçanti, shoferët janë porositur të ulin shpejtësinë dhe të respektojnë rregullat e komunikacionit në zonat shkollore, ku me fillimin e mësimit pritet të ketë qarkullim më të madh të nxënësve dhe prindërve.

Sipas Policisë, respektimi i rregullave të trafikut, përshtatja e shpejtësisë dhe shtimi i vëmendjes në këto zona janë masa të rëndësishme për parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë së nxënësve.

Policia ka apeluar te shoferët që të tregojnë përgjegjësi të veçantë gjatë orareve të mëngjesit dhe pasdites, kur nxënësit lëvizin drejt shkollave dhe gjatë kthimit në shtëpi.

Share This