
Albulena Haxhiu dekoron Donjeta Sadikun me Medaljen Presidenciale të Meritave
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka dekoruar sot me Medaljen Presidenciale të Meritave boksieren Donjeta Sadiku, në shenjë mirënjohjeje për suksesin e saj në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026” dhe kontributin në sport.
Haxhiu ka vlerësuar veçanërisht suksesin historik të Sadikut, e cila u shpall kampione në Lojërat Mesdhetare, duke fituar medaljen e artë pas fitores në finale ndaj boksieres serbe, Kristina Kuluhova.
“Sot pata kënaqësinë ta dekoroj me Medaljen Presidenciale të Meritave sportisten Donjeta Sadiku, për suksesin e veçantë të shpalljes kampion në Lojërat Mesdhetare, kontributin në boks dhe përfaqësimin e denjë të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo ka kujtuar edhe momentin kur Sadiku mbajti flamurin e Kosovës gjatë ceremonisë së hapjes së Lojërave Mesdhetare në Taranto të Italisë.
“Në hapjen e Lojërave Mesdhetare në Taranto të Italisë, Donjeta mbajti me krenari flamurin e Republikës së Kosovës gjatë parakalimit të sportistëve tanë. Pak ditë më vonë, pas fitores në finale ndaj përfaqësueses së Serbisë, Kristina Kuluhova, ajo fitoi medaljen e artë dhe e ngriti flamurin tonë në majën më të lartë të podiumit. Një sukses historik për Donjetën dhe Kosovën”, ka theksuar ushtruesja e detyrës së Presidentes.
Haxhiu ka përgëzuar për këtë arritje edhe trajneren Marjola Sallauka dhe të gjithë ekipin që ka punuar me boksieren kosovare.
“E përgëzova Donjetën, trajneren Marjola Sallauka dhe të gjithë ekipin e saj për këtë arritje të madhe, duke u uruar suksese të mëtejshme dhe medalje të tjera në garat e ardhshme”, ka shtuar Haxhiu.
Në fund, ajo ka vlerësuar se sukseset e vazhdueshme të Sadikut e bëjnë atë një shembull të rëndësishëm të sportistes që e përfaqëson Kosovën me krenari dhe dinjitet.


